Sinodi, Instrumentum Laboris: një Kishë për udhë me impenjimin misionar të të gjithëve
R.SH. – Vatikan
Si të jemi Kishë sinodale misionare? Kjo është pyetja, nga e cila niset “Instrumentum laboris” për seancën e ardhshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga data 2 deri më 27 tetor, me temën "Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision". Është sesioni i dytë i Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme, pas atij të vitit 2023.
Dokumenti përmbledh frytet e vitit të kaluar, duke i integruar ato me rezultatet e takimeve të tjera. Botuar sot, e martë 9 korrik, gjatë paraqitjes nga Salla e Shtypit të Vatikanit u vu në dukje se “Instrumentum laboris” nuk ofron ndonjë "përgjigje të parafabrikuar", por propozime për mënyrën se si Kisha, në tërësi, mund dhe duhet t'i përgjigjet nevojës për të qenë "sinodale në mision", pra, një Kishë më afër njerëzve, më pak burokratike, shtëpi e familje e Zotit, ku gjithë të pagëzuarit të jenë bashkëpërgjegjës dhe të marrin pjesë në jetën e saj, secili me rolin e vet.
Pesë pjesët e dokumentit
Dokumenti ndahet në pesë seksione: hyrja, themelet dhe tri pjesë qendrore. Hyrja kujton rrugën e përshkuar deri tani dhe nxjerr në pah qëllimet e arritura, si përdorimi i gjerë i metodologjisë sinodale të Bisedës në Shpirtin Shenjt. Pasojnë themelet a bazat (n. 1-18), të cilat përqendrohen në kuptimin e sinodalitetit, parë si një rrugë kthese dhe reformimi. Në një botë të karakterizuar nga përçarje dhe konflikte, nënvizohet, Kisha është thirrur të jetë shenjë uniteti, mjet pajtimi, duke i dëgjuar të gjithë, sidomos të varfrit, të mënjanuarit, pakicat.
Vlerësimi i grave në Kishë
Në pjesën themeltare (n.13-18), reflektohet mbi rolin e gruas në të gjitha fushat e jetës së Kishës, duke nxjerrë në pah "nevojën për t'i njohur më shumë" karizmat dhe thirrjet e saj. “Zoti zgjodhi disa gra si dëshmitare dhe lajmëtare të para të ringjalljes”, kujton dokumenti; ato, pra, "për hir të Pagëzimit në Krishtin, janë në kushte barazie të plotë, dikohen me të njëjtat dhurata nga Shpirti Shenjt dhe thirren për t'i shërbyer misionit të Krishtit" njëlloj si burrat.
Kthesa e parë që kërkohet, “është ajo e mendësisë”, duke e ndryshuar kështu këndvështrimin përsa u përket “marrëdhënieve, ndërvarësisë dhe reciprocitetit ndërmjet grave dhe burrave, të cilët janë motra dhe vëllezër në Krishtin, në funksion të misionit të përbashkët”. Në dokument kritikohet maskilizmi, që ende mbizotëron në disa kultura, kërkohet pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kishë, nënvizohet nevoja për t’u dhënë detyra me përgjegjësi dhe rolin e gjykatësit në proceset kanonike. “Instrumentum laboris” vë në dukje se disa Kisha lokale kanë kërkuar pranimin e grave në shërbimin diakonal e disa jo, prandaj, për këtë temë, do të vijojë reflektimi teologjik, por nuk do të jetë argument i Sinodit.
Pjesa I - Marrëdhëniet me Zotin, ndërmjet vëllezërve dhe ndërmjet Kishave
Pas hyrjes dhe themeleve, dokumenti vë në dukje marrëdhëniet (n. 22-50), që e bëjnë Kishën të jetë sinodale në mision, pra, marrëdhëniet me Hyjin Atë, ato ndërmjet vëllezërve dhe motrave dhe ato ndërmjet Kishave. Të rinjtë kërkojnë një Kishë jo burokratike, por të bazuar në marrëdhënie dinamike, për udhë, nënvizohet në “Instrumentum laboris”. Duke pasur parasysh këtë, Sinodi i tetorit mund të analizojë propozimin për krijimin e shërbesave të reja, si ajo e “dëgjimit dhe e shoqërimit”. “Kemi nevojë për një ‘derë të hapur’ në bashkësi – shpjegon teksti – përmes së cilës njerëzit mund të hyjnë pa u ndjerë të kërcënuar apo të gjykuar” (n. 34).
Pjesa II – Kurset e formimit dhe shoshitja në bashkësi
Themelore do të jenë formimi dhe “shoshitja në bashkësi” për të marrë vendimet e duhura, me përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen e secilit. Të gjithë kanë diçka për të dhënë, nënvizohet në dokument, i cili kërkon më shumë transparencë nga ata, që kanë përgjegjësi kishtare, si edhe dhënien e llogarisë për veprimtarinë e tyre. Kjo është e nevojshme për të krijuar besim në bashkësi, përveç faktit që është traditë, ardhur që nga Kisha apostolike (n.74). Vihet në dukje se rënia e besimit te Kisha është pasojë e shkandujve financiarë dhe e abuzimeve seksuale të disa anëtarëve të saj. Nga ana tjetër, mungesa e transparencës dhe e dhënies së llogarisë çon drejt klerikalizmit, që është mënyrë e gabuar për të ushtruar autoritetin. Për këtë, theksohet nevoja e strukturave, që vlerësojnë mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive në Kishë, duke filluar nga publikimi i administrimit të pasurive tek njoftimi mbi zhvillimin e misionit, ku të përfshihen nismat kishtare, sidomos ato në mbrojtje të të miturve dhe ato për promovimin e grave (n.79).
Pjesa III – Vendet e dialogut ekumenik dhe ndërfetar
Më pas, “Instrumentum laboris” analizon vendet (n. 80-108), në të cilat marrin formë marrëdhëniet dhe rrugët. Vende, që duhen kuptuar jo thjesht si hapësira, por si kontekste konkrete, të karakterizuara nga kultura dhe dinamizma. Në këtë horizont hyjnë temat e mëdha të dialogut ekumenik, ndërfetar dhe kulturor. Në këtë kuadër shihet edhe kërkimi i formave të ushtrimit të shërbesës pjetrine, që merr parasysh udhën ekumenike drejt bashkimit të dukshëm të të krishterëve (n. 102 dhe 107). Së fundi, dokumenti kujton se të gjitha çështjet e paraqitura në të janë shërbim për Kishën dhe mundësi për të shëruar plagët më të thella të kohës sonë. “Instrumentum laboris” përfundon me ftesën për të vazhduar udhëtimin si "shtegtarë të shpresës", në perspektivën e Jubileut të vitit 2025 (n. 112).