Kërko

Selia e Shenjtë në OKB: të mbështetet zhvillimi i shteteve të vogla ishullore

Kryeipeshkvi Caccia foli në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm: “T’i japë ndihmë vendeve në gjendje të veçantë është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare. Vendet më të pasura të marrin parasysh uljen, ose anulimin e borxhit”

R.SH. – Vatikan

Ndihma për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve në gjendje të veçanta, ndër të cilët “shtetet e vogla ishullore në zhvillim e sipër (SIDS)” është “përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare”. Kështu deklaroi kryeipeshkvi Gabriele Caccia, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në një deklaratë gjatë "Forumit të nivelit të lartë politik për zhvillimin e qëndrueshëm", mbajtur më 10 korrik, në Nju Jork.

Përfitime fiskale për të investuar në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale

Mbështetja për zhvillimin e tyre, sipas imzot Caccia-s, mund të kalojë edhe përmes sigurimit të “një hapësire fiskale të nevojshme për të investuar në programet e transformimit, që u përgjigjen nevojave të popullsisë". Përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë theksoi se borxhi i këtyre vendeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u shlyer, duke i bërë të hyjnë "në një cikël varësie, që i pengon të zgjidhin çështjet më urgjente, siç është eliminimi i varfërisë dhe përballimi i pasojave të ndryshimeve klimatike”.

Për këtë arsye, përfundoi ai, në mënyrë që këto vende të jenë në gjendje “për të bërë investime në sistemet e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale", "kombet më të pasura duhet të marrin parasysh uljen e borxhit, ose edhe anulimin e tij".

12 korrik 2024, 10:53