Kërko

Kardinali Parolin kremton meshën për Shën Rozalinë, në Palermo Kardinali Parolin kremton meshën për Shën Rozalinë, në Palermo

Parolin: Kisha e Palermos favorizon proceset dhe rrugët e drejtësisë dhe të ligjshmërisë

Me rastin e festës së 400-të për nder të shenjtores pajtore, Shën Rozalisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kryesoi meshën solemne, në bashkëkremtim me imzot Lorefice dhe ipeshkvijtë e tjerë të Siçilisë: "Të mos dorëzohemi, të përdorim pasuritë më të mira të mendjes e të zemrës. Pa ndjekur interesa e me bujari, qyteti mund të bëhet i sigurt, i vëmendshëm në trajtimin e formave të reja të varfërisë”

R.SH. – Vatikan

Pjesëmarrje e jashtëzakonshme e besimtarëve të Palermos, me rastin e edicionit të 400-të të kremtimeve kushtuar shenjtes së tyre pajtore, Shën Rozalisë apo Santucës, siç quhet nga banorët e qytetit e nga e gjithë Siçilia. Kremtimet filluan që nga 10 korriku, por arritën kulmin më 15 korrik, në katedralen vendase, mbushur plot, pavarësisht nga vapa, ku i dërguari i Papës Françesku, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi meshën, së bashku me kryeipeshkvin, imzot Corrado Lorefice dhe me ipeshkvijtë e tjerë të Siçilisë. “Figurë sublime gruaje dhe 'apostulli'": kështu e përcakton Papa Françesku shën Rozalinë në mesazhin dërguar për këtë rast kryeipeshkvit të Palermos.

Lutje në gjuhë të ndryshme

Lutja e besimtarëve u shqiptua në italisht, por edhe në hebraisht, arabisht, rumanisht, tamil, në gjuhën kineze dhe ukrainase, pasi Palermo dhe vetë Siçilia është dëshmi e udhëkryq kombesh e kulturash. 2024-a është shpallur Vit Shenjt, gjatë të cilit mund të merret ndjesa e plotë çdo ditë nga të gjithë shtegtarët, që do të hyjnë me besim, përmes Portës Shenjte, në Shpellën e shenjtë të Monte Pellegrino, si edhe në katedralen e Palermos, ku ndodhet urna e argjendtë me reliket e shenjtores.

Kardinali Parolin dhe përshëndetja e Papës Françesku

Kardinali Parolin u solli besimtarëve përshëndetjen e Papës, i cili “bashkohet përzemërsisht në gëzimin dhe falënderimin e palermitanëve, të pranishëm në numër të madh për t'u shndritur nga urtia e Rozalisë virgjër. Ati i Shenjtë i kërkon Zotit bekime për këtë kryedioqezë, për krejt ishullin e për ju të gjithë”, pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Më 1624, reliket e Shën Rozalisë u çuan me procesion nëpër qytet, i cili u çlirua nga një epidemi e rëndë murtaje. “Ta pyesim veten – vërejti kardinali Parolin - cila është murtaja, që ende mbështjell qytetin, që mbështjell botën, një botë që ka shumë nevojë të përballet me të vërtetën dhe me përvojën e fesë. Palermo e ka ndjekur drejtësinë përmes dëshmive tejet të larta, deri në flijimin e jetës. Këtu kemi martirë të drejtësisë, ndër të cilët edhe don Giuseppe Puglisi”, përmendi prelati meshtarin e vrarë nga mafia, për të vijuar me kardinalin Salvatore Pappalardo, ish-kryeipeshkvin e Palermos, që u impenjua kundër “Cosa Nostra”-s.

Me shembullin e don Puglisi-t

“Nga gjaku i derdhur – vijoi kardinali Parolin - lindën mijëra zëra dhe përvoja në rrugën e ndryshimit. Edhe tani, Kisha e Palermos vazhdon të jetë e vëmendshme në promovimin e proceseve dhe të shtigjeve, që synojnë arritjen e kulturës së drejtësisë dhe të ligjshmërisë, duke bashkëpunuar me shoqatat e shumta të pranishme në zonë, për të ndihmuar qytetarët të kapërcejnë atë mendësi, e cila, nganjëherë, ka rrezik të vihet në konflikt me ligjin". Për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit duhet nxitur “kultura e dialogut dhe e inteligjencës për ta bërë këtë qytet të banueshëm, mikpritës dhe të bukur. Të mos dorëzohemi, të përdorim pasuritë tona më të mira të mendjes dhe zemrës. Me bashkëpunim, pa ndjekur interesa të veçanta dhe me bujari, mund ta bëjmë qytetin të sigurt, të vëmendshëm në luftën kundër varfërive të reja, besnik ndaj traditës së tij si bashkësi mikpritëse”.

16 korrik 2024, 13:45