Kërko

2024.07.12 L'arcivescovo Gallagher ad Aquileia 2024.07.12 L'arcivescovo Gallagher ad Aquileia

Imzot Gallagher: diplomacia e Selisë së Shenjtë, është super partes, për të bashkuar idetë dhe vizionet

I ftuar në komunën e vogël të Trivenetos me rastin e kujtimit liturgjik të martirëve akuileianë dhe pajtorëve të Kryedioqezës së Gorizies, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Gallagher, mbajti një lectio magistralis (leksion të veçantë) kushtuar historisë së qendrës urbane, parë si “shembull pjekurie e vëllazërisë universale” nga e cila “Evropa e sotme duhet të vazhdojë të frymëzohet, për të mbjellë paqen me durim e shpresë”.

R.SH. / Vatikan

Një qytet që "përgjatë më shumë se dy mijë vjetëve të historisë së tij"  zhvilloi "një ndjeshmëri të veçantë për paqen", "duke mësuar t’i pajtojë ata që lindin nga dallimet kulturore, gjuhësore dhe etnike", siç e përshkroi Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, i ftuar dje, më 12 korrik, në komunën e vogël të Friuli Venecia Xhulia, për kujtimin liturgjik të Shenjtorëve Hermagora Ipeshkëv dhe Fortunatos Diakon, martirë të Aquileias dhe Pajtorë të kryedioqezës së Gorizies dhe të Triveneto, për të mbajtur një lectio magistralis me temë "Aquileia Magistra Pacis” – si “Vlerësim nga ana e diplomacisë të Selisë së Shenjtë”.

Konfliktet e sotme

Diplomaci, kjo e Selisë së Shenjtë, e angazhuar fuqishëm për t'i dhënë fund "konflikteve në veprim": nga Ukraina në Palestinë, Izrael, Azerbajxhan, Mianmar, Etiopi, Sudan, Jemen, që Selia e Shenjtë "i mobilizon gjithmonë si subjekt i superpartive ”, duke kërkuar të "bashkojë idetë e ndryshme, qendrimet e kundërta politike, pikëpamjet fetare" dhe "ideologjitë e shumëllojshme", punon për paqen, duke "respektuar normat ndërkombëtare" dhe të drejtat themelore të njeriut, gjithnjë "aktive në frontin humanitar", për shembull "për të lehtësuar riatdhesimin e fëmijëve ukrainas dhe shkëmbimin e robërve të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, si dhe për të liruar pengjet izraelite në Rripin e Gazës”.

Nga e tashmja, në të kaluarën, në leksionin e tij Imzot Gallagher rilidhi fijet e historisë, duke filluar nga themelimi i Aquileia-s, në vitin 181 para Krishtit, duke shtuar se edhe në kohët e krishtera qyteti dallohej nga "thirrja e tij e jashtëzakonshme për harmoninë e popujve” .

Nga Aquileia, ndër të tjera, krishterimi u përhap “në trojet përreth, duke rënë gradualisht në kontakt me popuj dhe kultura heterogjene”, duke i bashkuar dhe duke dhënë fryt “në çdo fushë të mendimit,  të shpirtit dhe të artit”. E gjithë kjo ndikoi mbi krijimin e "frymës së mirëseardhjes dhe të bashkëjetesës", "artit të dialogut dhe krahasimit","aftësisë për t’i vlerësuar stimujt nga brenda e nga jashtë”.

Shpirti i Aquile-së dhe Diplomacia e Vatikanit

“Historia e gjatë e bashkëjetesës, e takimit dhe e dialogut në këtë zonë kufitare, pavarësisht plagëve të thella shkaktuar në zemrat e njerëzve nga   nacionalizmat e skajshme”, është “shembull i vëllazërisë universale” - pohoi sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet për të cilin “Evropa e sotme duhet të vazhdojë të frymëzojë veten për të mbjellë paqen me durim dhe besim”.

Më pas, Imzot Gallagher kaloi tek "konteksti aktual ndërkombëtar", ku "përballë dhunës dhe përdorimit të gjerë të armëve si një mjet për zgjidhjen e konflikteve, diplomacitë po luftojnë për të përmbushur detyrën e tyre tradicionale të ndërmjetësimit", por pa u marrë me shkaqet apo me ato “situata kulturore, sociale, etnike dhe fetare” që lindin konflikte.

Të shoqërohen ata që dëshirojnë paqen

Në një skenar të tillë, “diplomacia e Papës, ndërsa paraqitet si realitet i strukturuar sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, vepron si forcë morale pa ambicie gjeopolitike, e kujdesshme për të mos ndjekur interesa partiake” - shpjegoi kryeipeshkvi – por edhe për të mos mbajtur qëndrim indiferent ndaj nevojave konkrete të popullit, deri tek klithma e dëshpëruar e të brishtëve dhe të të flakurve”, për të cilat bëhet “zë dhe jehonë”. Prandaj, interesi i Selisë së Shenjtë është të shoqërojë ata që dëshirojnë paqen dhe që kërkojnë pajtimin.  Prandaj nga njëra anë, “ndërhyn për të garantuar lirinë e Kishës, nga ana tjetër”, vazhdoi Imzot Gallagher, “propozon bashkëpunimin me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve madhore të njerëzimit”, vepron për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe “për afirmimin e vlerave më të larta morale dhe shoqërore”.

Marrëdhëniet diplomatike me vendet e lindura nga ish Republika Jugosllave

Lidhur me “mësimin e Aquilea-s për të kultivuar” respektin për autonomitë dhe “etnitë e ndryshme”, Imzot Gallagher kujton "mbështetjen e Selisë së Shenjtë për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", bazuar mbi "zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike", që nisi pas rënies së Murit të Berlinit dhe që çoi “në zhvillimin e veprimtarisë së konkordatit në vendet ku ndryshimi i sistemit politik  u pasua nga një qëndrim tjetër ndaj fesë dhe Kishës katolike”.

Diplomati i Vatikanit kujtoi Marrëveshjet e nënshkruara që nga viti 1996 me shumicën e Shteteve të lindura nga shpërbërja e ish-Republikës Jugosllave, duke i përshkruar si "mjete autoritare të përgjigjes ndaj antagonizmave etnike dhe konfesionale" të krijuara nga koncepti i verbër i kombësisë” e, në vijim, vuri në dukje edhe vizitën apostolike të Papës Françesku në Shqipëri, në vitin 2014; në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2015, në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut në 2019, “forcoi më tej afërsinë dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin dhe shkëmbimet me ato vende”, si dhe vizitat e tij zyrtare në kryeqytete “për të  fuqizuar bashkëjetesën vëllazërore ndërmjet etnive, grupeve dhe feve, në dallim dhe respekt të anasjelltë”.

Migrimi përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor

Hapja dhe mirëpritja “e popujve dhe kulturave të ndryshme” që dalluan Aquileia, në fund të fundit na shtyn të reflektojmë mbi krizën e migracionit përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor” - kujtoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, i cili  ftoi për të reflektuar për mijëra njerëz, që “përpiqen të kalojnë kufijtë” për t’i shpëtuar persekutimit, luftërave, konflikteve apo varfërisë dhe gjejnë mundësi të reja për ekzistencë apo një strehë të sigurt”, përballë të cilëve janë ndërtuar mure, pa marrë parasysh mundësitë që mund të ofrojë migrimi “në funksion të rritjes së shoqërive me përfshirje “të të gjithë aktorëve në lojë, duke përfshirë edhe bashkësitë fetare”.

Personalitetet votuan për dialog dhe ndërmjetësim

Imzot Gallagher kujtoi se si "shpirti i Aquileia-s" farkëtoi "personalitetet që punuan për takime, dialog dhe ndërmjetësim", ndërmjet këtyre "etërve të shkëlqyer me origjinë nga Friuli" që i shërbyen Selisë së Shenjtë në pjesë të ndryshme të botës. Për t’u rikujtuar ndërmjet shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, Imzot Luigi Faidutti dhe Kryeipeshkvi Antonino Zecchini, që jetuan "në situatën e ndërlikuar fetare dhe politike të republikave të porsalindura të Balltikut"; kardinali Celso Costantini, "falë aftësive të  jashtëzakonshme diplomatike të të cilit u vendosën marrëdhëniet Seli e Shenjtë-Kinë”, dhe kardinali Guido Del Mestri, i cili kontribuoi “në të ashtuquajturën Ostpolitikë të Vatikanit”.  

Këto janë figura që “na kujtojnë bashkëtingëllimet ndërmjet trashëgimisë së vlerave të grumbulluara që i atribuohen frymës së Aquileia-s dhe tipareve të diplomacisë së Selisë së Shenjtë”, vuri në dukje kryeipeshkvi, i cili në kontekste të ndryshme është thirrur të sigurojë që ekziston "një bashkësi dallimesh", "zhbërja e mosmarrëveshjeve dhe gërshetimi i harmonisë", në "bindjen se mbyllja dhe izolimi prodhojnë shoqëri të asfiksuara, të paaftë për të thithur oksigjenin e dialogut dhe takimit, premisa të forta për një ndërtim autentik paqeje".

13 korrik 2024, 13:29