Kërko

 Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin  (Daniele Scudieri - Imagoeconomica)

Kard. Parolin në Ukrainë, etapat e Kievit e Odesës dhe takimi me autoritetet civile e fetare

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, do të jetë që sot, 19 korrik, e deri të mërkurën, 24 në vendin e Evropës Lindore. Është vizita e parë që nga fillimi i agresionit rus. Kardinali do të kryesojë Meshën në Shenjtëroren mariane të Berdychiv, në përfundim të shtegtimit të katolikëve ukrainas të ritit latin.

R. SH. - Vatikan

Sot, 19 korrik,  Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, nisi udhëtimin drejt Ukrainës, i emëruar nga Papa si Legat Papnor për kremtimin përfundimtar të shtegtimit të katolikëve ukrainas të ritit latin në korrik,  në Shenjtëroren Mariane të Berdychiv.

Vizita e kardinalit, e para në vendin e Evropës Lindore që nga fillimi i pushtimit rus, do të përfundojë në 24 korrik. Këto ditë - njofton llogaria në X @TerzaLoggia - do të ketë veprimtari dhe takime të ndryshme.

 Meshë në shenjtëroren e Berdychiv

Kardinali Parolin do të ketë sot një ndalesë të shkurtër në Ipeshkvninë e Metropolitit të Lvivit të Latinëve, më pas do të vizitojë qytetin e Odesës. Të dielën, më 21 korrik, Kardinali do të kryesojë meshën në Berdychiv për kremtimet përfundimtare të shtegtimit të katolikëve ukrainas. Shenjtërorja ndodhet në rajonin Zhytomyr, në perëndim të Kievit, destinacion për shtegtime që mbledhin së bashku besimtarët katolikë nga e gjithë Ukraina e edhe nga vende të tjera. Në këto dy vitet e fundit shtegtarët shkojnë atje për të kërkuar veçanërisht ndërmjetësimin e Marisë për paqe.

Takimi me autoritetet

Gjatë ditëve në vijim, Kardinali Parolin do të vizitojë Katedralen greko- katolike të Kievit. Planifikohet edhe një takim me kryeipeshkvin e Kishës Katolike Greke të Ukrainës, Sviatoslav Shevchuk. Në program, edhe takimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me autoritetet civile dhe fetare të vendit.

19 korrik 2024, 11:38