Jemi "shtegtarë të shpresës", drejt Jubileut 2025
R.SH. / Vatikan
Jemi në rrugën tonë drejt Jubileut të vitit 2025, shpallur nga Papa Françesku me letrën e datës 11 shkurt 2022, drejtuar Imzot Rino Fisichell-ës, Kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Viti Shenjt 2025-së duhet të inkurajojë rikrijimin e atmosferës së shpresës dhe të fesë, vënë gjatë viteve të fundit në provë të rëndë në mbarë botën e prekur nga pandemia, nga luftërat dhe nga krizat e vazhdueshme ndërkombëtare. Papa shpreson se Jubileu do të jetë shenjë e rilindjes, kohë e përtëritjes! Kohë e re, për njerz të rinj!
Prandaj zgjodhi moton "Shtegtarët e shpresës", me shpresë se të gjithë do të punojnë për të rifituar ndjenjën e humbur të vëllazërisë universale. Me dëshirën e Papës Françesku, i pari nga dy vitet para jubileut iu kushtua rizbulimit të mësimit konciliar (2023). I dyti, aktuali (2024), është Viti i Lutjes.
Duke e hapur këtë vit me Engjëllin e së dielës, 21 janar, Papa i ftoi të gjithë të luten më shumë, që të përgatiten për ta jetuar mirë ngjarjen jubilare dhe për ta shijuar forcën e shpresës së TënZot. Kjo është arsyeja e kremtimit “të një viti kushtuar rizbulimit të vlerës së madhe dhe nevojës absolute të lutjes në jetën personale, në jetën e Kishës dhe në jetën e botës”. Këshillat konkrete të nevojshme për kremtimin e Jubileut të 2025-ës u dhanë me "Bulën e Shpalljes" më 9 majin e kaluar. Shpresojmë se të gjithë besimtarët do të përfitojnë për jetën e tyre shpirtërore nga ky Vit hiri, që Zoti ia dhuron Kishës së tij.