Ipeshkvi Kulbokas: si mund të justifikohet bombardimi në spitalin e fëmijëve?
R. SH. - Vatikan
“Kur goditet më i vogli ndër të vegjlit, më i ligshti ndër të ligshtët, secili prej nesh i bën vetes pyetjen: si është e mundur që ndokush vazhdon t'i japë ndonjë shpjegim luftës, kur nuk mund të justifikohet për asnjë arsye? Nuk e kuptoj se si këto ndërgjegje arrijnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë...", Kjo, pyetja që ia bën vetes Kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas, nunc apostolik në Ukrainë, pasi vizitoi rrënojat e spitalit pediatrik Okhmatdyt në Kiev, goditur dje nga një raketë ruse gjatë atij, që ishte sulmi më i ashpër në kryeqytetin ukrainas dhe një nga më vdekjeprurësit që nga fillimi i luftës. Gjithsej 42 persona u vranë në bombardimet që goditën të gjithë Kievin: ndërmjet tyre, 4 fëmijë. Dy vetë u vranë e pesëdhjetë u plagosën - duke përfshirë shtatë fëmijë - vetëm kur spitali u shemb, i goditur nga një raketë që kapërceu vijat e mbrojtjes kundërajrore dhe shkatërroi një krah të ndërtesës. Shpëtuan pacientët e tjerë të spitalit, të cilët, kur u dëgjuan sirenat, u strehuan brenda një bunkeri.
Dëshmia e shpërthimit
“Ishte spitali pediatrik më i njohur në Ukrainë, i ndërtuar me kontribute nga Italia, Suedia, Austria dhe vende të tjera” - nënvizon Imzot Kulbokas për mediat e Vatikanit. “Spital i njohur edhe nga stafi i nuciaturës - kujton - mbasi bashkëpunëtorët tanë vendas dhe murgeshat shkonin për të dhuruar gjak për fëmijët sepse dhe në kohë lufte kishte mungesë gjaku për ta. “Për më tepër” - vazhdon Nunci - “spitali është fare pranë, vetëm 700 metra larg lagjes ku ndodhemi. Që në fillim i bëra vetes pyetjen: cila ndërtesë u godit? Një goditje që shpërthen dyert e brendshme të nunciaturës do të thotë se është vërtet shumë afër, e në lagje nuk ka objektiva të veçanta, ka vetëm shtëpi të banuara, dyqane... e është edhe spitali i fëmijëve”.
Raketa, që godasin fëmijët e sëmurë
“Munda të shikoj pamjet video në të cilat raketa mbërrin drejt përpara, e pa përgjuar nga mbrojtja ajrore, mbërrin dhe godet departamentin e dializës”, vazhdon nunci. Nga spitali pediatrik del tym, një tym shumë toksik, i ashpër, sepse çdo raketë ka brenda shumë karburant që, e përsëris, është shumë toksik dhe, për këtë arsye, është e vështirë të afrohesh dhe të fillosh të nxjerrësh ata që rënkojnë nën rrënoja”. “Jemi para një pyetje shumë tronditëse - përfundon Kulbokas - këto raketa nuk ishin të rastit, ishin “madje në shënjestër” ndaj “nuk prekën vetëm fëmijët me sëmundje të lehta, por edhe ata fëmijë që kanë nevojë për trajtim të kancerit ose transplantim të mëlçisë. Raketat binin pikërisht mbi ta”.
Autoritetet po punojnë për të rivendosur rrjetin elektrik
Në kohën e sulmit kishte 670 pacientë të shtruar në spital në Okhmatdyt dhe autoritetet aktualisht po punojnë për të rivendosur rrjetet e energjisë elektrike dhe të ujit. Operacionet ndërpriten në mënyrë të pashmangshme ndërkohë që pacientët e rinj me kancer po marrin trajtimet e tyre jashtë spitalit. Sipas kreut të misionit të OKB-së për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë, ka "shumë mundësi” që gjithë këtë mënxyrë ta ketë shkaktuar një goditje e drejtpërdrejtë nga një raketë ruse.
Moska, ndërkohë, i refuzon të gjitha përgjegjësitë, përmes zëdhënësit të Kremlinit, Peskov, që akuzon Kievin e ripohon se Rusia nuk sulmon objekte civile.