Kërko

Kardinali Jean-Claude Hollerich Kardinali Jean-Claude Hollerich

Instrumentum laboris, Hollerich: të nisemi sërish nga frytet e para të sinodalitetit

Kardinali i Luksemburgut, relator i përgjithshëm i Asamblesë XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, reflekton mbi disa tema të dokumentit të paraqitur sot (9 korrik) në Sallën e Shtypit të Vatikanit, duke u nisur nga ekleziologjia për të vijuar me bashkëpërgjegjësinë e laikëve – gra e burra - me misionin e Kishës Katolike e deri me rrugëtimin e përbashkët me Kishat e bashkësitë e tjera të krishtera

R.SH. – Vatikan

Ndër dëshmitë në konferencën e shtypit të 9 korrikut për paraqitjen e “Instrumentum laboris”, dokumentit udhërrëfyes për sesionin e dytë të Sinodit mbi sinodalitetin, që do të mbahet nga 2 deri më 27 tetor 2024, nuk mungoi ajo e kardinalit jezuit Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve. Në një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News, kardinali i Luksemburgut reflekton mbi disa tema të dokumentit, nga ekleziologjia te bashkëpërgjegjësia e laikëve, grave dhe burrave, nga misioni ungjillizues i Kishës te udhëtimi i përbashkët, bazuar mbi pagëzimin, me Kishat dhe bashkësitë e tjera krishtera.

Hirësi, nga ç’pikë e rifillon Kisha udhën e saj? Si u hartua ky “Instrumentum laboris”? A ka dallin nga mënyra e hartimit të dokumenteve të mëparshme, si Raporti Sintezë dhe “Instrumentum laboris” i sesionit të parë?

Ky mjet pune nuk është shkruar nga zero. Kemi raportin përmbledhës të sesionit të parë, pastaj, kemi reagimet e të gjitha Kishave. Është reflektim teologjik mbi çka u tha në seancën e parë. E gjitha së bashku kontribuon për “Instrumentum laboris”, që është mjet pune, nuk është rezultat i Sinodit. Në fillim të Sinodit, anëtarët kanë idetë e tyre dhe mjeti i punës bëhet për të nxitur debatet e nevojshme gjatë sesionit të Sinodit.

Çfarë tematikash do të trajtojnë debatet?

Temën e ekleziologjisë, si të jesh Kishë sinodale, por në mision. Kjo është e rëndësishme: ne jemi në mision, Kisha, populli i të pagëzuarve është dërguar nga Zoti për t'i shpallur Ungjillin botës. Kjo është detyra jonë. E zbuluam, jo vetëm ne delegatët në Sinod, por i gjithë Populli i Zotit se ku jetuam në tjetër mënyrë, cilat ishin elementet e sinodalitetit gjatë këtyre tre viteve të fundit, pasi ka fryte sinodaliteti dhe këto fryte janë për misionin.

Për misionin, Kisha ka nevojë për laikë, burra e gra. Flitet shumë për përgjegjësinë, për vlerësimin e laikëve. Ç’duhet të presim në këtë pikë?

Sigurisht. Kisha nuk është Kishë e klerit, Kisha është Kishë e të pagëzuarve. Gra dhe burra, të gjithë jemi të thirrur nga Zoti për të shpallur Ungjillin dhe për të formuar Kishën. Pra, kemi pjesëmarrjen dhe bashkëpërgjegjësinë e të gjithëve në kumtimin e Ungjillit. Kjo nuk do të thotë se braktisen shërbimet e shuguruara, ipeshkvijtë dhe meshtarët, por ata e gjejnë kuptimin e tyre të plotë në një Kishë sinodale.

Deri në çfarë mase mund të bëhen përgjegjës njerëzit e thjeshtë, burra dhe gra?

Përsa u përket laikëve, në Kishë nuk ka asnjë dallim lidhur me pjesëmarrjen dhe bashkëpërgjegjësinë e burrave dhe të grave. Gjithçka është e hapur për gratë e për burrat. E kemi parë tashmë këtë, që kur Papa vendosi shërbesat laike të akolitit dhe lektorit edhe për gratë dhe më pas, në barazinë ndërmmet burrave e grave në shërbesën e re të katekistit. Sinodi nuk e shtron çështjen e shugurimit meshtarak të grave, sepse e gjithë bota nuk e ka ngritur atë. Ka pasur disa Kisha lokale, që kanë ngritur çështjen e diakonatit të grave dhe ka një komision për të thelluar reflektimin teologjik mbi këtë pikë. Për të kuptuar më mirë se çfarë është diakonati, i cili është pjesëmarrja në një shërbim të shuguruar, por jo meshtarak. Është më tepër shërbim. Çështja e dytë, pas këtij reflektimi, do të ishte nëse ky lloj shërbimi mund të bëhet edhe nga gratë. Por kjo është pjesë e një procesi dhe nuk duhet të mendojmë se të gjitha proceset përfundojnë me këtë sesion të Sinodit. Kisha do të ecë përpara në mënyrë sinodale, Populli i Zotit do ta përshkojë historinë në mënyrë sinodale. E do të ketë pyetje, që do të kërkojnë përgjigje.

Të ecim së bashku në mënyrë sinodale do të thotë edhe me Kishat simotra të krishtera. Ç’rëndësi marrin marrëdhëniet ekumenike?

Është më se e qartë, pasi nëse jemi Popull i Zotit, nëse jemi popull i të pagëzuarve, pagëzimin e kemi edhe në Kisha e në bashkësi të tjera të krishtera dhe ne e respektojmë atë pagëzim dhe i duam ato Kisha. Shohim se edhe në këto Kisha vepron Shpirti Shenjt. Prandaj, kjo detyrë e misionit ungjillëzues në botë është e përbashkët për të gjitha. Duhet t'i kumtojmë Ungjillin botës së bashku, duke i ruajtur ndryshimet tona. Mendoj se, në këtë Sinod, edhe delegatët vëllazërorë të konfesioneve të tjera të krishtera ishin shumë mendjehapur. Nga ana e tyre ka një kërkesë më të madhe për pjesëmarrje dhe kjo do të thotë se e ndiejnë që janë përfshirë në kuvendim.

09 korrik 2024, 17:14