Imzot Gallagher: "e drejta ndërkombëtare çon në paqe në Detin e Kinës Jugore"
R.SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë bën thirrje që të bëhet çdo përpjekje për të "zgjidhur në mënyrë paqësore" tensionin në Detin e Kinës Jugore, si edhe të gjitha situatat e tjera të konfliktit. Kështu deklaroi nga Manila Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili ndodhet në Filipine për një vizitë pesë-ditore. “Ministri i Jashtëm” i Vatikanit ka zhvilluar sot një takim me Presidentin Ferdinand Marcos Jr dhe sekretarin e Punëve të Jashtme të Manilës, Enrique Manalo.
Së bashku me homologun e tij filipinas, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me shtetet mbajti gjithashtu një konferencë për shtyp gjatë së cilës iu përgjigj një pyetjeje mbi përshkallëzimin shqetësues të tensioneve midis Republikës Popullore të Kinës dhe Filipineve mbi lundrimin në ujërat të cilat – arbitrarisht – Pekini beson se janë nën sovranitetin e vet. Për çështjen, e cila dëmton seriozisht interesat e peshkatarëve filipinas, roja bregdetare kineze po përdor metoda gjithnjë e më të forta: ditët e fundit ka pasur madje edhe një përplasje me një anije ushtarake filipinase në zonën e ishujve Spratly, të cilën Manila e konsideron si Zonën e vet ekskluzive ekonomike.
“Qëndrimi i Selisë së Shenjtë është i qartë – u përgjigj Imzot Gallagher -. Në këto situata duhet bërë çdo përpjekje për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore. Ne inkurajojmë palët të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe ta ndjekin atë një udhë për të zgjidhur vështirësitë dhe problemet në interesin më të mirë të të gjithëve”.
Filipinet dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla
Përpara vizitës te Presidenti Marcos, Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtete, imzot Gallagher u takua, gjithnjë sot paradite, me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Republikës së Filipineve, Enrique Manalo. Gjatë takimit u diskutuan çështje me interes të përbashkët që prekin si Filipinet si dhe Vatikanin. “Filipinet vazhdojnë dhe do të vazhdojnë gjithmonë të mbështesin një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla – deklaroi Manalo – Ne vlerësojmë kontributin e Selisë së Shenjtë për promovimin e paqes, të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin për zhvillimin në mbarë botën”.
Bashkëndarja e vlerave midis Selisë së Shenjtë dhe Filipineve
Kryeipeshkvi imzot Gallagher kujtoi se Selia e Shenjtë është veçanërisht e lidhur, me marrëdhëniet që ka, me vendin e Azisë Juglindore, "për shkak të kontributit shumë të rëndësishëm që filipinasit japin, si katolikë, në mbarë botën, për mirëqenien e Kishës Katolike dhe të shumë komuniteteve tjera”. Katolikët e Filipineve, shtoi Sekretari i Vatikani për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, "janë veprimtarë të shkëlqyer në fushën e ungjillëzimit dhe dëshmitarë të bashkëndarjes së Lajmit të Mirë, Ungjillit". Imzot Gallagher kujtoi se prioritetet për Selinë e Shenjtë, në këtë moment, “janë të qarta, konfliktet e shumta në botën e sotme dhe nevoja e promovimit të paqes përmes dialogut dhe negociatave. Ne besojmë se në shumë nga këto aspekte Selia e Shenjtë dhe Republika e Filipineve bashkëndajnë të njëjtat vlera, të njëjtin vizion të gjërave, dhe për këtë arsye, do të punojmë së bashku edhe në të ardhmen".
Programi i vizitës
Gjatë vizitës së tij në Filipine Imzot Gallagher ka në program edhe një vizitë në Malaybalay, në rajonin e Mindanaos Veriore, nesër më 3 korrik, për të marrë pjesë në seancën plenare të Konferencës Episkopale të Kishës Katolike të Filipineve. Me ipeshkvijtë e vendit, të nesërmen, më 4 korrik, prelati imzot Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, do të kremtojë Eukaristinë në Abacinë e Shpërfytyrimit në Malajbalay. Së fundi, të premten më 5 korrik, është në program pjesëmarrja në konferencë e organizuar pranë Forgein Service Institute, në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Filipineve, në Manila.