Kërko

Varfëria në Indonezi Varfëria në Indonezi  (ANSA)

Imzot Caccia: varfëria, shkandull për t'u çrrënjosur me veprime radikale

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB Mons Caccia foli në forumin e nivelit të lartë politik mbi zhvillimin e qëndrueshëm të organizuar në Nju Jork nga Këshilli Ekonomik dhe Social: duhet të zbatohen strategjitë e ristrukturimit të borxhit, që u jepet vendeve në zhvillim "hapësirë fiskale e nevojshme për të investuar në popullsinë e tyre”.

R. SH. - Vatikan

Nëse prirjet aktuale vazhdojnë, vetëm një e treta e vendeve të botës do ta përgjysmojë varfërinë kombëtare brenda gjashtë viteve të ardhshme, siç kërkohet nga qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Agjendës së OKB-së 2030.

"Realiteti shkandullues" na kujton se angazhimi për të trajtuar aspektet "shumëdimensionale" të varfërisë, është "jashtë mundësive" të shumë vendeve në zhvillim, të detyruara "t’i devijojnë burimet e çmuara drejt shlyerjes së borxheve të paqëndrueshme". Këtë theksoi dje Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në forumin e nivelit të lartë politik për zhvillimin e qëndrueshëm, organizuar në Nju Jork nga Këshilli Ekonomik dhe Social.

Duke ripohuar se varfëria mbetet "sfida më e madhe globale për t’u përballuar”, imzot Caccia theksoi se kjo plagë nuk ka të bëjë "vetëm me burimet financiare" të njerëzve, por shprehet "në një  shumëllojshmëri formash, që kërkojnë përpjekje integrale", duke marrë "masa të bazuara mbi paranë me politikat globale, që u bëjnë ballë mungesave jo-monetare: arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, jetuar çdo ditë nga miliona njerëz”.

Prelati theksoi se ka një "pabarazi të konsiderueshme" ndërmjet përqindjes së shpenzimeve publike të caktuara për shërbimet themelore në ekonomitë e përparuara dhe asaj në ekonomitë në zhvillim. Prandaj është "imperative" të merren masa "radikale dhe transformuese" për borxhin. Duke kujtuar thirrjet e Papës drejtuar kombeve më të pasura, në mënyrë që "të vendosin t’i falin borxhet e vendeve, që nuk mund t'i shlyejnë kurrë", vëzhguesi i përhershëm përmendi, për shembull, "zbatimin e strategjive të ristrukturimit të borxhit", që u ofrojnë vendeve në zhvillim "hapësirën e nevojshme fiskale" për të investuar në popullsinë e tyre”.

Në të njëjtën kohë, Kryeipeshkvi Caccia vuri në dukje se sot ka "nivele alarmante të urisë dhe kequshqyerjes në të gjithë botën". Krizat ekonomike, ndryshimet klimatike dhe konfliktet thellojnë dobësitë e miliona njerëzve, "duke  vijuar ta largojnë gjithnjë e më shumë pamjen e një bote pa uri". Në përpjekjet për të përballuar këto rrethana urgjente - vazhdoi Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara - roli i aktorëve joshtetërorë mbetet "qendror", duke përfshirë Kishën Katolike, e cila përmes organizatave, nismave dhe shoqatave të shumta bamirëse është e pranishme në terren "e jo vetëm", përmes shpërndarjes së ushqimeve të përditshme. Megjithatë, mbështetja në zgjidhjet afatshkurtra është e pamjaftueshme, vuri në dukje ai, duke u ndaluar tek nevoja për të "vepruar me ndjenja të reja urgjence" në lehtësimin e urisë, për t’i shndërruar sistemet ushqimore dhe për të siguruar "qëndrueshmëri, elasticitet dhe barazi" në prodhimin dhe në shpërndarjen e ushqimit.

L’ Osservatore Romano

10 korrik 2024, 15:39