Kërko

 Një grua mbetur në rrugë të madhe në Rripin e Gazës Një grua mbetur në rrugë të madhe në Rripin e Gazës 

Gaza, Imz. Caccia: urgjent armëpushimi e ndihmat për njerëzit e rraskapitur

Në një deklaratë të Komitetit për njoftimin e kontributeve vullnetare në UNRWA, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kujton përsëri ndihmën financiare të Selisë së Shenjtë për agjencinë që mbështet refugjatët palestinezë

R. SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë bën thirrje për armëpushim në të gjitha frontet e luftës që vijon në Gaza dhe në Izrael, duke kërkuar "lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite në Gaza, dërgimin  pa pengesa të ndihmave kryesore për popullin palestinez dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar nga të gjitha palët e përfshira në këtë mënxyrë, pa përjashtim”.

Këtë e përsëriti Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në deklaratën e së premtes, 12 korrik, drejtuar Komitetit ad hoc të Asamblesë së Përgjithshme për shpalljen e kontributeve vullnetare në UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmën dhe punësimin e refugjatëve palestinezë në lindjen e afërt).

Të ruhet neutraliteti i UNRWA-s

Imzot Caccia nënvizon se delegacioni i Selisë së Shenjtë përsërit "mbështetjen e tij për mandatin" e UNRWA, "veçanërisht në dritën e rrethanave aktuale". Ripohon edhe rolin vendimtar të Agjencisë "në përpjekjen për të përballuar nevojat bazë të më shumë se 5 milionë refugjatëve palestinezë në Lindjen e Mesme, veçanërisht në rrethanat e krizës humanitare katastrofike në Rripin e Gazës".

Prandaj, Selia e Shenjtë "ripohon angazhimin e saj për mbështetjen financiare dhe inkurajon të gjitha Shtetet Anëtare të kontribuojnë në UNRWA ose të rifillojnë kontributet për të mbështetur përpjekjet vendimtare të Agjencisë". Gjithashtu e konsideron tejet të rëndësishme "ruajtjen e neutralitetit të UNRWA-së në mënyrë që të përmbushë mandatin e saj në përkim me rezolutën e 8 dhjetorit 1949".

Thirrje për dialog konstruktiv lidhur me propozimet e paqes

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara kujton, në deklaratën e tij "ngjarjet tragjike që ndodhën në Izrael dhe Palestinë pas sulmit mizor terrorist kundër popullatës izraelite, më 7 tetor". Ngjarjet që “patën ndikim thellësisht negativ në jetën e njerëzve të panumërt, të pafajshëm”. Për këtë arsye, delegacioni i kryesuar nga Kryeipeshkvi Caccia "i bën thirrje palëve të përfshira në armiqësitë e Gazës të angazhohen në një dialog konstruktiv mbi propozimet e paqes, (duke përfshirë atë që përshkruhet në Rezolutën 2735 të 2024) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Të rihapen pikat e hyrjes në Gaza

Selia e Shenjtë bën thirrje edhe për "rihapjen e të gjitha pikave të hyrjes në Gaza për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare shumë të nevojshme, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet për popullatën e vuajtur të Gazës".

Nënvizon edhe rëndësinë e "shpërndarjes së rregullt të ushqimeve dhe të furnizimeve, me vëmendje të veçantë për fëmijët dhe shtresat në nevojë". Thirrja e Papës për paqe të qëndrueshme

 Së fundi, Selia e Shenjtë rithekson se në çdo konflikt, "vendet që duhet të garantojnë mbrojtjen e popullatës civile, si shkollat, spitalet dhe vendet e kultit, si dhe objektet e agjencive të Kombeve të Bashkuara nuk mund të përdoren ose të jenë në shënjestër nga operacionet ushtarake". Është detyrë e të gjitha palëve të garantojnë sigurinë e personelit humanitar, i cili po bën përpjekje të palodhshme për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

Imzot Caccia përfundon duke kujtuar thirrjen e Papës Françesku të 7 qershorit të kaluar, në dhjetëvjetorin e Thirrjes për Paqe në Tokën Shenjte, lidhur me një angazhim të përbashkët "për të arritur paqen e qëndrueshme, që Shteti i Palestinës dhe Shteti i Izraelit të mund të jetojnë krah për krah, duke shembur muret e armiqësisë dhe të urrejtjes”.

Me ftesën "për ta pasur në zemër Jerusalemin, që të bëhet qyteti i takimeve vëllazërore të të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve, i mbrojtur nga një status i veçantë, garantuar në nivel ndërkombëtar".

13 korrik 2024, 16:53