Kërko

Padre Giacomo Costa S.J. Padre Giacomo Costa S.J.

Atë Costa: Instrumentum laboris, fryt koral i një procesi dëgjimi

Sekretari i posaçëm i Asamblesë së XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve reflekton mbi thelbin e tekstit udhëzues për seancën e dytë sinodale, tetorin e ardhshëm: sot ne komunikojmë në një mënyrë tjetër, sfida është të kuptojmë se në cilin vend, edhe dixhital, jetohet jeta e njerëzve

R.SH. - Vatikan

Instrumentum laboris për Seancën e dytë Sinodale të Asamblesë së të XVI të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të zhvillohet tetorin e ardhshëm, nuk është dokument i rëndomtë, madje nuk është fare dokument. Është diçka më shumë, madje shumë më tepër. Diçka të ndryshme, shpjegon Atë Giacomo Costa. Rregulltari jezuit është një nga sekretarët e posaçëm të asamblesë sinodale e, pak ditë më parë, ndihmoi në paraqitjen e tekstit para gazetarëve nga mbarë bota në Sallën e Shtypit të Vatikanit, duke i paralajmëruar se "shërben si bazë për diskutim, por nuk është draft i dokumentit përfundimtar, që do të ndryshohet, e as përmbledhje e plotë e ekleziologjisë sinodale”.

Udhë dialoguese

Po çfarë është në të vërtetë Instrumentum laboris? Atë Kosta, në dialog me mediat e Vatikanit, përpiqet ta bëjë të kuptueshëm, duke nisur nga larg, nga fillimi i rrugëtimit sinodal kur, pak më shumë se tri vjet më parë, filluan "periudha të gjata dëgjimi të Kishave vendasve dhe kontinentale, që nisën një dialog të dendur me Sekretarinë e Sinodit. Është fryti koral i një procesi, në bazën e të cilit është dallimi i përbashkët, tekst që dëshmon rrugën e bërë deri tani nga e gjithë Kisha”. E  ai do të shndërrohet në një farë, që "do të lindë reflektime të mëtejshme, të cilat më pas, gjatë seancës së tetorit, do t'i dorëzohen Atit të Shenjtë. Nga këto reflektime do të lindin thellime të reja për të riorientuar jetën e Kishës”- shton rregulltari.

Marrëdhëniet, përmasë themelore

Perspektiva relacionale është një nga përmasat e para themelore dhe strukturore të shprehura nga Instrumentum laboris: marrëdhënia me Zotin Atë, në Jezu Krishtin dhe në Shpirtin Shenjt, marrëdhëniet ndërmjet gjithë të pagëzuarve, marrëdhëniet ndërmjet Kishave dhe me botën, për paqen dhe dialogun. Marrëdhënie të cilat - pohon Atë Kosta - duhen kuptuar në frymën misionare të shpalljes së Ungjillit: “E këtu lind një pyetje: si mund ta shpallë Kisha Ungjillin? Mënyra se si përjetohen këto marrëdhënie dëshmon për atë që ne besojmë: marrëdhëniet nuk duhet të ruhen vetëm për t'u ndjerë mirë brenda bashkësive tona, sepse janë karakteristikë e natyrës sonë misionare, e qenies sonë Kishë".

Vende për t'u rizbuluar

Por veprimi relativ, për t'u ushtruar, duhet domosdoshmërisht të mishërohet në vende jo vetëm fizike, por edhe ekzistenciale. Instrumentum laboris e sqaron këtë në pjesën e dytë të tekstit, kur shqyrton formimin integral dhe të përbashkët, dallueshmërinë kishtare për misionin, artikulimin e proceseve vendimmarrëse, transparencën e lidhur me raportimin dhe vlerësimin. “Reflektimi për vendin është themelor për të qenë Kishë në botën e sotme - pohon jezuiti - sepse marrëdhëniet me vendet kanë ndryshuar në dekadat e fundit. Sot ne lidhemi me vendin ndryshe: për shembull, çfarë do të thotë sot të jesh kishë lokale? Si munden njerëzit që ndryshojnë kombet, për punë ose për nevoja mbijetese, t'u përkasin Kishave lokale?”. Sfida është të kuptojmë se në cilin vend, qoftë edhe dixhital, mishërohet konkretisht jeta jonë.

Shikim jubilar

Sesioni i ardhshëm i sinodit, falë Instrumentum laboris, do të vazhdojë të ketë edhe një sy të projektuar drejt jubileut të vitit 2025. “Do të përkojë – nënvizon Atë Kosta - me fazën e tretë të Sinodit që, siç pritej, do të jetë faza dhe zbatimi i konkretizimit të hapave të deritanishëm. Në tetor do të ketë orientime dhe propozime, që do të dalin nga kuvendimi dhe do t'i besohen Papës Françesku. Në fund të fundit, këndvështrimi jubilar është i lidhur fort me Sinodin, sepse ne udhëtojmë së bashku me të, pa vetëvlerësim, siç na kërkon Kisha për Vitin e Shenjtë të ardhshëm”.

15 korrik 2024, 14:52