Kërko

Impiant agrovoltaik Impiant agrovoltaik

Vatikani do të pajiset me një sistem agrovoltaik për autonominë energjetike

Papa e komunikoi këtë përmes një letre apostolike në formën “motu proprio” të titulluar “Vëlla Dielli”. Struktura do të vendoset brenda qendrës Santa Maria di Galeria. Një kontribut dhe një përgjigje, shkruan Françesku, "për sfidat që ndryshimi i klimës vendosi para njerëzimit dhe shtëpisë sonë të përbashkët"

R.SH. – Vatikan

         Një strukturë, që përdor energjinë diellore për të siguruar "jo vetëm furnizimin me energji elektrike të radiostacionit të atjeshëm, por edhe pavarësinë e plotë energjetike të Shtet-Qytetit të Vatikanit". Enciklika “Laudato si'” me të cilën Papa pohoi rëndësinë e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët nëntë vjet më parë - ndër të tjera, duke na ftuar të reduktojmë emetimet ndotëse për klimën dhe ambientin - tani merr formë në një projekt, dashur nga Françesku, i cili e paraqet me një letër apostolike në formë motu proprio me titull “Vëlla Dielli”.

Mandati për krerët e Guvernatoratit dhe të APSA-s

Objektivi është të bëhet Vatikani i pavarur nga pikëpamja e furnizimit me energji përmes ndërtimit - brenda zonës ekstraterritoriale të Santa Maria di Galeria, ku ndodhet qendra e antenave të radios - të një "centrali agrovoltaik", një sistem që e shfrytëzon tokën bujqësore, si për të vendosur panelet fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme, ashtu edhe për ta kultivuar me perime e bimë të ndryshme. Në motu proprio Papa ua beson mandatin për ekzekutimin e projektit kryetarëve të Guvernatoratit dhe të APSA-s, duke u dhënë "pushtetin e plotë për të kryer aktet e nevojshme të administrimit të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm".

Kontributi i Vatikanit për klimën

Duke theksuar rëndësinë e reduktimit të "emetimeve të gazit serrë në atmosferë, me synim neutralitetin klimatik", Françesku kujton në motu proprio se më 6 korrik 2022 vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Pallatin e Qelqit në Nju Jork depozitoi në Sekretariatin e Përgjithshëm të OKB-së “dokumentet, me të cilat Selia e Shenjtë, në emër dhe për llogari të Shtet-Qytetit të Vatikanit, hyn në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”. Me këtë instrument, shkruan Papa, "desha të kontribuoj në përpjekjet e të gjitha shteteve për të ofruar, në përputhje me përgjegjësitë dhe aftësitë e tyre përkatëse, përgjigjen e duhur para sfidave të ndryshimeve klimatike për njerëzimin dhe shtëpinë tonë të përbashkët".

Sistemimi i territorit

Teksti sqaron se për të ruajtur privilegjin e ekstraterritorialitetit, garantuar nga Paktet e Lateranit, i duhet komunikuar autoriteteve italiane sistemimi i territorit në zonën e strukturave dhe selive të subjekteve, që i përkasin Selisë së Shenjtë dhe Guvernatoratit të Vatikanit. I kërkohet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit të ndihmojë që të mos hmbasë asgje nga ç’ka qenë deri tani në dispozicion të Selisë Apostolike.

26 qershor 2024, 16:09