Kërko

2024.06.12 Gruppo dalla Colombia 2024.06.12 Gruppo dalla Colombia

Ta dëgjojmë britmën e tokës dhe të të varfërve në Kolumbi

Gjetja e mundësive për një bashkëpunim me qeveritë për konsolidimin e punës për paqen: ky është objektivi i ‘Grupo de Trabajo por Colombia’ - Grupit të Punës për Kolumbinë, anëtarët e të cili Papa i priti në audiencë dje, më 12 qershor, në sallën 'Pali VI'. Të pranishëm 17 anëtarë të Grupit, që bashkon Caritase të ndryshme të mbarë botës, nga Evropa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Amerikën Latine.

R.SH. - Vatikan

Dëgjimi, në mënyrë sinodale, i britmës së tokës dhe i britmës të të varfërve: ky është angazhimi kryesor që çohet përpara nga ‘Grupo de Trabajo por Colombia’ - Grupi i Punës për Kolumbinë (GTC), 17 anëtarë të të cilit u pritën dje paradite, 12 qershor, nga Papa Françesku në sallën e vogël të Sallës Pali VI, në Vatikan. Organizata bashkon Caritas-in e Norvegjisë, Anglisë dhe Uellsit, Skocisë, Spanjës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Amerikës Latine dhe Karaibeve, në bashkëpunim me Baritorinë sociale-Caritasit Kolumbian. E lindur në vitin 1997, ‘Grupo de Trabajo por Colombia’ (GTC) punon veçanërisht për konsolidimin e paqes dhe drejtësisë sociale në vendin e Amerikës Latine, sepse pavarësisht progresit të bërë në fushën e shpërndarjes së tokës, luftës kundër pabarazive shoqërore dhe kërkimit të një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të armatosur, në Kolumbi ende nuk ka ndryshime të thella që mund të forcojnë shpresën e më të varfërve.

Angazhimi i Kishës në favor të vendasve dhe të të varfërve

Përballë fenomeneve siç është trafiku i drogës, dhuna, korrupsioni dhe pabarazia, të cilat ndikojnë ndjeshëm në kërkimin e drejtësisë sociale në Kolumbi, Kisha është e përkushtuar të kërkojë përgjigje për ta bërë jetën e fermerëve, të indigjenëve dhe të afro-amerikanëve më pak të vështirë e dramatike, ashtu si edhe në zona të njohura popullore urbane.

Udhës për në Cop16

Duke shikuar, më pas, drejt Konferencës Ndërkombëtare për Biodiversitetin – e cila është programuar si pjesë e COP16 të OKB-së, që do të zhvillohet në Cali, Kolumbi, nga 21 tetori deri më 1 nëntor, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 190 vende të ndryshme - ‘Grupo de Trabajo por Colombia’ (GTC) e konsideron atë një mundësi të mëtejshme për të promovuar kujdesinë për shtëpinë e përbashkët. Përtej suksesit të ngjarjes, Grupi i Punës shpreson se mund të konsolidohet edhe një proces që e bën realitet ekologjinë integrale në Kolumbi, një vend që ka biodiversitetin më të madh në botë, por në të njëjtën kojë është edhe ndër vendet më në rrezik.

Katër ëndrrat për Kolumbinë

Së fundi, ‘Grupo de Trabajo por Colombia’ (GTC) nënvizon angazhimin që ka, për ta vënë veten në shërbim të ëndrrës sociale, kishtare, ekologjike dhe kulturore që Papa Françesku ka treguar në vitin 2020, me nxitjen apostolike post-sinodale ‘Querida Amazonia’.

13 qershor 2024, 11:44