Kërko

Selia e Shenjtë përshëndet nënshkrimin e Traktatit për burimet gjenetike dhe lidhjet tradicionale

Dokumenti i organizatës së Kombeve të Bashkuara, që mbron pronësinë intelektuale (WIPO), do të garantojë njohjen e patentave të shpikjeve, që përdorin trashëgiminë kolektive të popujve indigjenë dhe të bashkësive lokale. Imzot Balestrero: drejt një sistemi të orientuar kah e ardhmja, për të mirën e të gjithëve

R.SH. / Vatikan

Selia e Shenjtë e mirëpret miratimin e “Traktatit mbi pronësinë intelektuale, burimet gjenetike dhe njohuritë e ndërlidhura tradicionale”, nënshkruar nga WIPO (Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale) të premten, më 24 maj, në Gjenevë. Traktati - deklaroi Imzot Ettore Balestrero, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, "krijon mekanizmin ndërkombëtar, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në angazhimin kolektiv për ruajtjen e burimeve gjenetike të paçmueshme dhe të traditave të dijes “që lidhen me to”.

Pjesëmarrja e popullsisë autoktone

Synimi i dokumentit është të mbrojë patentat e shpikjeve, që  realizohen nga bimët mjekësore, kulturat bujqësore dhe speciet shtazore, të cilat shumë shpesh shoqërohen me njohuritë tradicionale, falë përdorimit dhe ruajtjes së tyre nga popullatat indigjene të njohura të bashkësisë vendase. Njohuri të cilat, siç thuhet në faqen e internetit të WIPO, përdoren ndonjëherë në kërkime shkencore dhe, në këtë masë, mund të kontribuojnë për zhvillimin e shpikjeve të mbrojtura. Në këtë drejtim, Selia e Shenjtë përshëndeti dhe vlerësoi “pjesëmarrjen e popullsisë dhe të bashkësisë vendase në procesin e marrjes së vendimeve, si dhe në përdorimin e një gjuhe të kuptueshme në kontekstin specifik kulturor dhe ligjor, në të cilin jetohet”. Përfaqësuesi i Vatikanit vlerëson edhe "përpjekjet konstruktive të miratuara nga të gjitha palët e të përfshira në procesin e negociatave", gjë që "pasqyron angazhimin e thellë për nxitjen e bashkëpunimit shumëpalësh, arritjen e marrëveshjes dhe përparimin e sistemit dinamik të pronësisë intelektuale, të orientuar drejt së ardhmes", në dobi të të gjithëve".

Përjashtohen burimet gjenetike njerëzore

Selia e Shenjtë përsëriti rëndësinë që ka përjashtimi i burimeve gjenetike njerëzore nga fusha e zbatimit të Traktatit. "Kjo - shpjegoi Imzot Balestrero - nënvizon njohjen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor, duke mbetur parim i përbashkët dhe themelor, bazë e bashkëjetesës sonë, e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe e së mirës së përbashkët".

27 maj 2024, 11:04