Kard. Parolin: Afrika mund t’ia dalë, por ka nevojë për "miq të sinqertë" ndërkombëtarë
R.SH. – Vatikan
“Çast gëzimi" me emocione "personale". Kështu e përshkruan për mediat e Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kremtimin eukaristik për Ditën e 61-të Botërore të Afrikës, kryesuar në bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, pasditen e 27 majit. Të pranishëm, ambasadorët e Grupit Afrikan në Selinë e Shenjtë, përfaqësitë diplomatike afrikane të akredituara në Republikën Italiane dhe në organizmat e ndryshme të Kombeve të Bashkuara me seli në Romë. Morën pjesë në meshë edhe prelatët afrikanë të Kuries Romake e meshtarët afrikanë në Itali.
Gjatë meshës u kujtua ambasadori i parë afrikan në Selinë e Shenjtë, markezi Antonio Manuel N'Vunda, varrosur në kriptën e Bazilikës Liberiane, në janar 1608. Para liturgjisë, u vendosën dy kurora me lule në varrin e Papës Pali V, në kapelën Pauline dhe në varrin e N'Vunda.
Sfida dhe shpresa
Në homelinë e tij, kardinali Parolin përmendi fjalët e Papës Benedikti XVI për Afrikën, si edhe ato të shën Gjon Palit II në Nxitjen apostolike “Kisha në Afrikë”, për të analizuar më pas sfidat, vështirësitë dhe “kontrastet” e kontinentit, por edhe aspektet e shpresës. “Ky kremtim ka një aspekt personal për mua, sepse ndihem i afërt me Afrikën, kam mundur të vizitoj disa vende vitet e fundit dhe, më pas, të kem kontakte si me Kishën, ashtu edhe me qeveritë dhe autoritetet”, shpjegon kardinali për Radio Vatikanin/Vatican News.
Nevojitet mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare
"Unë - shton Sekretari i Shtetit të Vatikanit - besoj se Afrika duhet t’ia dalë me forcat e veta, sepse e ka fuqinë, ka burimet natyrore, ka pasuri të të gjitha llojeve, por ka nevojë edhe për miq të sinqertë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, që punojnë për popujt, për njerëzit, për paqen, pajtimin dhe zhvillimin e kontinentit”. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, nënvizon kardinali Parolin, është e nevojshme, sepse kontinenti "kalon situata shumë të vështira", në mes të shumë "konflikteve të përgjakshme, që u shkaktojnë vuajtje njerëzve. Mjafton të mendojmë për Kongon Lindore...". Gjithsesi, kardinali shprehet i bindur se “ka mundësi për të dalë nga kjo gjendje, por parimi është gjithmonë i njëjtë: duhet t’i vendosim njerëzit dhe mirëqenien e tyre në plan të parë, nëse vendosim interesa të tjera materiale, atëherë sigurisht që njerëzit do të sakrifikohen dhe nuk do të ketë mundësi për paqe. Nëse ka drejtësi, nëse të gjithë mund t’i përdorin pasuritë, edhe ato materiale - e kjo është detyrë e autoriteteve lokale dhe e bashkësisë ndërkombëtare - atëherë mund të ketë përmirësime”.
Ndihma e Selisë së Shenjtë
Nga ana e saj, "Selia e Shenjtë ndihmon në nivelin e Kishës afrikane, sepse jemi një familje, si edhe përmes nunciaturave dhe interesit të drejtpërdrejtë, që tregon Papa ndaj Afrikës. Ku mundemi - siguron kardinali Parolin - përpiqemi të japim një dorë".
Dita Botërore e Afrikës
Popujt e kontinentit afrikan e kremtojnë Ditën Botërore të Afrikës më 25 maj, sepse në këtë datë u nënshkruan marrëveshjet e Organizatës për Bashkimin Afrikan, në vitin 1963, të cilat simbolizojnë luftën e gjithë kontinentit për çlirim, zhvillim dhe përparim ekonomik e shoqëror. Data e 25 majit kujton themelimin e Organizatës, por edhe i nxit popujt anëtarë të zhvillojnë kapacitetin individual dhe kolektiv për të ndërtuar Afrikën e ëndërruar nga etërit themelues.