Kërko

"100 vjet nga Koncili Parë i Kishës Katolike në Kinë: midis historisë dhe së tashmes", një konferencë në Vatikan

Organizuar nga Universiteti Papnor Urbaniana në bashkëpunim me agjencinë e lajmeve Fides dhe Komisionin Pastoral për Kinën, ngjarja do të zhvillohet më 21 maj në Aula Magna të Universitetit. Priten një videomesazh i Papës dhe ndërhyrja e kardinajve Parolin e Tagle dhe ipeshkvit të Shangait, së bashku me ligjërata të akademikëve e studiuesve nga Republika Popullore e Kinës.

R.SH. / Vatikan

Shanghai, 15 maj 1924: në Katedralen e Shën Injacit të Lojolës fillon Koncili i Parë i Kishës Katolike në Kinë, i thirrur për të inkurajuar dhe shoqëruar lulëzimin e një Kishe autoktone në Kinë, me ipeshkvij kinezë të cilëve u duhej besuar udhëheqja e komuniteteve vendore.

Njëqind vjet më vonë, në Romë, një Konferencë Ndërkombëtare kthen në qendër të vëmendjes atë përvojë sinodale për të kuptuar shtrirjen dhe rëndësinë e saj në lidhje me rrugën e Kishës Katolike në Kinë. Konferenca titullohet “100 vjet nga Concilium Sinense: mes historisë dhe së tashmes”.

Organizuar nga Universiteti Papnor Urbaniana, në Romë, në bashkëpunim me Agjencinë Fides dhe Komisionin Pastoral për Kinën, konferenca zhvillohet të martën më 21 maj në Aula Magna të Universitetit Urbaniana, që është pjesë integrale e Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin (Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta).

Programi
Programi i Konferencës ka në program ndërhyrjen e ipeshkvit të Shangait, imzot Giuseppe Shen Bin, atë ët Sekretari të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin dhe të kardinalit Luis Antonio G. Tagle, pro-prefekt i Dikasterit misionar të Selisë së Shenjtë. Në Konferencë do të mbajnë ndërhyrjet e tyre akademikë dhe studiues nga Republika Popullore e Kinës, si profesori Zheng Xiaoyun dhe profesori Liu Guopeng, nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale. Në hapje të konferencës, pas përshëndetjes së profesor Vincenzo Buonomo, delegat papnor dhe Rektor i Madh i Universitetit Papnor Urbaniana, do të shfaqet një videomesazh i Papës Françesku.

14 maj 2024, 12:52