Imzot Paglia, Papa nuk do etiketa, duhet mbrojtur jeta!
R.SH. / Vatikan
“Papa Françesku na nxit ta shikojmë jetën në të gjitha aspektet e saj, pa kundërvënie. Nuk është rastësi që Papa nuk përdor më shprehjen “parime të panegociueshme”, për të shmangur një hierarki të rreme, sikur disa të ishin më të rëndësishëm se të tjerët. Gjithçka është e përditësuar, pyetje bioetike dhe çështje sociale”. Kështu nënvizon kryeipeshkvi Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, në një intervistë për gazetën Corriere della Sera, në lidhje me Deklaratën e Dikasterit për Doktrinën e Fesë “Dignitas Infinite Concerning Human Diignity” (Dinjitet i pafundmë lidhur me Dinjitetin njerëzor”.
Teksti i dokumentit "Dignitas Infinita Concerning Human Dignity" përmbledh mësimet e Papës Françesku dhe, sipas imzot Paglia, shton "një vizion të gjerë të jetës njerëzore që duhet promovuar". "Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë për të mbrojtur jetën që nga fillimi, deri në përfundimin e saj tokësor dhe në të gjitha aspektet themelore, që e karakterizojnë atë - nënvizon – Prandaj duhet luftuar kundër të gjitha kushteve, që dëmtojnë dinjitetin e qenies njerëzore: nga varfëria, deri te dhuna ndaj grave. E duhet të kujtojmë veçanërisht edhe temën e absurditetit të luftës, nga e cila, në atmosferën aktuale, Françesku nuk heq dorë...".
Kryetari i Akademisë Papnore për Jetën bën thirrje “të kemi kujdes që të mos i lexojmë dokumentet e Magjisterit të Kishës në mënyrë të izoluar, duke i ndarë nga ato, që u thanë në prononcimet e tjera”. "Papa - vazhdon ai - dëshiron ta shmangë konfliktin ndërmjet problemeve të bioetikës dhe atyre të etikës sociale.. Në nivel të përgjithshëm, ajo që thotë Amoris laetitia për të mirën e mundshme në fushën e familjes është e vlefshme: të gjithë duhet të angazhohen duke kërkuar dhe duke arritur më të mirën për të cilën është i aftë, e duke pasur parasysh kompleksitetin e situatave”.
Do të thonë se Françesku është reaksionar, kur flet për abortin apo për amësinë surrogate dhe progresiste për varfërinë dhe luftën: “Përshtypja ime është se këto kategori janë paksa të ngushta për Françeskun: nuk janë të përshtatshme për të interpretuar mendimet e tij apo punën e tij.
Përmasat, që kanë të bëjnë me çdo njeri, duhet të pasqyrohen në një kontekst më të gjerë. Sjelljet individuale të çdo njeriu nuk mund të shqyrtohen duke u abstraguar nga rrethanat. Për këtë arsye, çështjet e drejtësisë sociale dhe, si të thuash, mjedisore, kanë ndikim të fortë në zgjedhjet që mund të bëjë secili. Shumë shpesh, duke modifikuar kushtet fillestare, bëhen të mundshme sjellje, që i përgjigjen dinjitetit.
Shën Gjon Pali II pati folur për 'strukturat e mëkatit' që duhen çrrënjosur". Tema e ankthit gjinor, shton Imzot Paglia, "parë nga këndvështrime të ndryshme, është delikate". "Njohuria që kemi për fenomenin është ende mjaft e pjesshme dhe kërkon reflektime më të thella. Ajo që po ndodh me triptorelinën, të cilën vetë OBSH e ka vënë në pikëpyetje, na bën të mendojmë shumë. Të mos harrojmë se, në vizionin e Papës Françesku, modeli i realitetit është poliedri, jo sfera. Jo gjithçka është njësoj”, përfundon imzot Paglia.