Imzot Staglianò: Kisha dhe masoneria janë thellësisht të papajtueshme
R.SH. / Vatikan
"Herezia masonike është e lidhur në themel me herezinë ariane". Kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë e shpjegon rishtas e qartë për mediat e Vatikanit mospajtimin e Kishës Katolike me Masonerinë. "Në fund të fundit - pohon imzot Antonio Staglianò - ishte vetë Ario ai që e përfytyroi Jezusin si Arkitekt i Madh i Universit (siç e konsideron Frimasoneria Qenien Supreme) duke e mohuar hyjninë e Krishtit. Ja pra, pse Koncili i Nikesë, 1700 vjetorin e të cilit do ta kremtojmë së shpejti, pohon me forcë të vërtetën për Jezusin, që është i lindur, jo i krijuar, Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyji i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. I lindur, jo i krijuar, i njëgjëjtë me Atin, Nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet.
Zoti dhe jo "Arkitekti i Madh i Universit"
Pikërisht ideja e "Arkitektit të Universit" ose e "Orëndreqësit" të madh të mbrojtur nga Masoneria është e papajtueshme me idenë katolike të Zotit. "Pse - imzot Staglianò hyn në hollësira - kjo ide është fryt i arsyes njerëzore, që përpiqet të përfytyrojë një zot, ndërsa Zoti i katolikëve është fryti i vetë Zbulesës së Zotit në Krishtin Jezus. Është fryt i një ngjarjeje historike, në të cilën Zoti u mishërua, iu është afrua njerëzve, u foli të gjitha qenieve njerëzore, duke u siguruar shëlbimin e tij".
Larg njeri-tjetrit, sa yjet
Edhe koncepti i vëllazërisë, i shprehur nga Masoneria, është vite drite larg konceptit të vëllazërisë së fesë katolike. Imzot Staglianò kujton se "vëllazëria jonë bazohet në sakramentin e dashurisë së Zotit në Jezusin, në Eukaristinë, e jo vetëm në idenë e përgjithshme për të qenë vëllezër". I njëjti arsyetim - shton Prelati - mund të zbatohet për bamirësinë e krishterë, e cila "nuk ka të bëjë fare me filantropinë masonike". Bamirësia e krishterë përkon me ngjarjen historike të një Zoti që vdiq dhe u ringjall për ne dhe u kërkon bijve të tij jo vetëm të jenë filantropikë, por edhe të kryqëzohen për dashuri".
I krishteri do Dritën e vërtetë
Papajtueshmërinë e plotë ndërmjet katolicizmit dhe antarësimit në masoneri, kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë e vë në dukje duke nënvizuar se "në brendi të masonerisë zhvillohen komplote të pushtetit okult, në kundërshtim me veprimin e krishterë. Shkurtimisht, kur flasim për papajtueshmëri, kemi parasysh kontradikta të thella: "Ne nuk mundemi as të kujtojmë kundërvënien polare të teologut Romano Guardini, për të pohuar se mund të rrinë bashkë".
Misteri kundër ezoterizmit
Një distancë tjetër e rëndësishme është ezoterizmi - i përbërë nga doktrina shpirtërore që janë shumë shpesh sekrete dhe të rezervuara për iniciatorët - që përmbledh mësimet masonike. "Edhe në katolicizëm - specifikon imzot Staglianò - flasim për Misterin. Por Ungjijtë na kujtojnë se Misteri i fshehur ndër shekuj nuk merr fund, por nuk është më i fshehur. Sepse Misteri i fshehur ndër shekuj u zbulua".
Dënimi i vazhdueshëm i Kishës
Duke kujtuar dënimin e vazhdueshëm të masonerisë nga Kisha gjatë shekujve, imzot Staglianò kujton përgjigjen e fundit dhënë një ipeshkvi të Filipineve nga Dikasterit për Doktrinën e Fesë më datën 13 nëntor 2023, miratuar nga Papa Françesku, përmes të cilit përsëritet se anëtarësimi aktiv mbetet i ndaluar: "Besimtarët - përfundon - që anëtarësohen në lozhat masonike, janë në një gjendje mëkati mortar dhe nuk mund ta marrin absolutisht Eukaristinë (Kungimin)".