Cantalamessa: "dhëmbët" e medias mund të rrënojnë, por edhe "të pastrojnë"
R. SH. - Vatikan
Osservatore Romano
Fatkeqësisht sot ekziston në shoqëri "një lloj "dhëmbësh" që kërcëllojnë pa mëshirë, më mizorisht se dhëmbët e leopardit", për të cilin pati folur Shën Injaci i Antiokisë: janë "dhëmbët" e mediave dhe të të ashtuquajturave rrjete sociale. Kardinali kapuçin Raniero Cantalamessa e kujtoi këtë sot në mëngjes, në Sallën Pali VI, gjatë predikimit të parë të Kreshmëve, në përgatitje për Pashkë. Duke kujtuar fjalët e Ipeshkvit martir Injacit - "Unë jam gruri i Zotit dhe [duhet] të bluhem nga dhëmbët e bishave të egra, për t'u bërë bukë e pastër e Krishtit" - predikatari i Shtëpisë Papnore shpjegoi se mediat "meritojnë gjithë respektin e edhe nderimin" kur "i zbulojnë shtrembërimet e shoqërisë ose të Kishës"; ndërsa nuk mund të themi se e kryejnë misionin e tyre, nëse “sulmojnë dikënd njëanshmërisht, thjesht sepse nuk i përket partisë së tyre”. E gjithë kjo «me ligësi, me qëllim shkatërrues, jo konstruktiv. Mjer kush përfundon sot në këtë makinë mishi, qoftë laik apo klerik”- komentoi Kardinali. Në këtë rast - shtoi - "është legjitime dhe e nevojshme t’i pohosh arsyet tuaja në forumet përkatëse. Nëse kjo nuk është e mundur, ose shihet se nuk ka asnjë dobi", besimtari nuk ka zgjidhje tjetër veçse të "bashkohet" me Krishtin e rrahur me kamxhik, të kurorëzuar me ferra dhe të pështyrë”. Në Letrën drejtuar Hebrenjve - vërejti kardinali - lexojmë këtë këshillë drejtuar të krishterëve të parë. Këshillë, që mund të ndihmojë në raste të ngjashme.
Është diçka "e vështirë dhe e dhimbshme në rastin më të mirë, veçanërisht nëse përfshihet në të edhe familja natyrale apo ajo fetare", por hiri i Zotit "mund ta bëjë - dhe shpesh e ka bërë - kemi të gjithë mundësi për pastrim dhe shenjtërim". Bëhet fjalë për "të pasur besim se, në fund të fundit, siç ndodhi me Jezusin, e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrat". E do të triumfojë më mirë, "ndoshta, me heshtje, sesa me më agresivitet e vetëmbrojtje".
Një mundësi tjetër “që nuk duhet humbur”, nëse duam “të bluhemi, për t’u bërë miell i Zotit” është ajo e “heqjes dorë nga kundërshtimi, nga justifikimi dhe nga dëshira për të pasur gjithnjë të drejtë, kur këtë nuk e kërkon rëndësia e çastit". Ose përsëri, "të durojmë dikë, karakteri, mënyra e të folurit apo e të vepruarit e të cilit na i ngre nervat, dhe ta bëjmë këtë pa acaruar vetveten, duke menduar, më mirë, se edhe ne ndoshta jemi të tillë për ndokënd". Është fjala - vuri në dukje Frati kapuçin, për dy "banka prove", domethënëse veçanërisht për ata që punojnë në Kurien Romake, "e cila - theksoi Cantalamessa - nuk është bashkësi fetare as bashkëshortore, por bashkësi shërbimi dhe pune kishtare".
Qëllimi përfundimtar për ta lënë veten të "grihet" nuk është «i natyrës asketike, por mistike; nuk shërben aq shumë për të përulur veten, sa për të krijuar bashkim”. Kjo është një e vërtetë që ka shoqëruar katekizimin eukaristik që në kohët e hershme të Kishës. Lidhur me këtë, një fjalë e Shën Agustinit mbetet shembullore. Ai, duke zhvilluar këtë temë, vë ballë për ballë procesin që «çon në formimin e bukës e që është korpi eukaristik i Krishtit - dhe procesin që çon në formimin e trupit të Tij mistik, që është Kisha". Ndërmjet dy trupave, “Eukaristisë dhe atij mistik të Kishës, ka jo vetëm ngjashmëri, por edhe vartësi”. E kjo, falë "misterit të Pashkëve të Krishtit, që vepron në Eukaristi, edhe ne mund të gjejmë forcën për ta lënë veten të ‘grihemi’, ditë pas dite, në rrethanat e vogla, e ndonjëherë në ato të mëdha të jetës”.
Kardinali zhvilloi temën e predikimit «Po kush thoni se jam unë? (Mt. 16, 15)», duke u nisur nga dialogu ndërmjet Krishtit dhe apostujve në Çezarenë e Filipit. Pyetja e Jezusit - shpjegoi ai - nuk duhet marrë "në kuptimin e zakonshëm të pyetjes"; sikur Zoti "ishte i interesuar të dinte se çfarë mendon Kisha për të, ose çfarë na thonë studimet tona teologjike për të". Duhet konsideruar si “merret çdo fjalë që doli nga goja e Jezusit, pra siç u drejtohet hic et nunc, atyre që e dëgjojnë, individualisht, personalisht”. Për të kryer këtë provim - shpjegoi Cantalamessa – na shpëton një tjetër ungjilltar, Gjoni. Në Ungjillin e tij «gjejmë një seri të tërë deklaratash të Jezusit, të famshmet Ego eimi, “Unë jam”, me të cilat ai zbulon se çfarë mendon për veten e tij, kush thotë se është: “Unë jam buka e jetës”, “Unë jam drita e botës” e kështu me radhë. Gjatë predikimeve, predikatari do të rishikojë pesë nga këto vetë-zbulesa për të pyetur veten çdo herë nëse "Është vërtet për ne, ai që thotë se është dhe si ta bëjmë atë që të jetë kështu gjithnjë e më shumë". Do të jetë një çast, shtoi, "për t'u përjetuar në një mënyrë të veçantë". Jo, pra, “me një sy të kthyer nga jashtë, te problemet e botës dhe të vetë Kishës, siç jemi të detyruar të bëjmë në kontekste të tjera, por me një vështrim introspektiv”, si “ungjillëzim i vetvetes, për të ungjillizuar”, duke u mbushur me Jezusin, për të folur për të «nga dashuria».
Duke u nisur nga e para nga këto thënie të Zotit, "Unë jam buka e jetës", predikatari pyeti veten “Ku e si hahet kjo bukë e jetës?”. Përgjigja e Etërve të Kishës, nënvizoi kardinali - ishte: në dy “vende” ose në dy mënyra, “në sakrament dhe në Fjalë, pra në Eukaristi dhe në Shkrim”. Kishte - kujtoi - "theksime të ndryshme": disa këmbëngulën "më shumë në Fjalën e Perëndisë", ndërsa të tjerë theksuan "interpretimin eukaristik". Megjithatë, asnjëri prej tyre “nuk kishte ndërmend të fliste për një mënyrë, duke përjashtuar tjetrën”. Ne flasim për Fjalën dhe Eukaristinë, si "dy tryezat" e shtruara nga Krishti. Dhe kjo duket mbi të gjitha në liturgji, ku "sinteza e tyre jetohet gjithnjë në paqe". Pikërisht, duke u nisur nga kjo, Kardinali Cantalamessa nxiti "të bëjmë një hap përpara", që "të mos kufizohet të ngrënët e korpit dhe të pirit e gjakut të Krishtit vetëm në Fjalën dhe sakramentin e Eukaristisë, por duke e parë atë të zbatuar në çdo çast dhe aspekt të jetës sonë të hirit". Jezusi, në fund të fundit, është buka e jetës së përjetshme jo vetëm për atë që jep, por edhe - dhe para së gjithash - për atë që është. Fjala dhe Sakramenti janë mjetet; të jetosh me Të dhe në Të është qëllimi”. Prandaj, i gjithë fjalimi i Jezusit "priret të sqarojë se çfarë është jeta, që jep: jo jeta e korpit, por "jeta e Shpirtit", domethënë "jeta e amshuar".