Papa: më 12 dhjetor kremton Meshën në festën e Zojës së Guadalupes
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku do të kryesojë kremtimin Eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, të martën më 12 dhjetor në orën 18:00, me rastin e kujtimit të Virgjërës Mari të Guadalupes. Kështu bëhet e ditur në një buletin të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë e cila njofton kremtimet liturgjike të Papës.
Festa e Zojës së Bekuar etë Guadalupës, kremtohet më datën 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur Virgjëra Mari iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh në gjuhën azteke, do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).
Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të Amerikës Latine. Mbi kodrën, ku u duk Zoja Bekuar, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një Kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua Bazilika e sotme e Zojës së Guadalupes.
Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figurës, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur. Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore qiellore dhe Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike dhe Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Shën Gjon Pali II më 31 korrik 2002. Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.
Festa e Zojës së Guadalupes kremtohet më 12 dhjetor, e Ajo kremtohet si “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, si Ylli i ungjillëzimit të ri. Zoja i ndihmon njerëzit e këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale, për të realizuar jetën dhe besojnë plotësisht se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj festa e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.