Kërko

 Papa Francesco a Santa Maria Maggiore per affidare alla Salus Populi Romani il suo prossimo viaggio in Mongolia Papa Francesco a Santa Maria Maggiore per affidare alla Salus Populi Romani il suo prossimo viaggio in Mongolia

Në festën e Zojës Papërlyer, Papa do t'i dhurojë trëndafilin e artë Salus Populi Romani

Trëndafili artë simboli i bekimit papnor, do t'i dorëzohet nga Papa Françesku ikonës së Marisë Virgjër që ruhet në bazilikën romake të Shën Marisë Madhe pasditen e 8 dhjetorit. Një gjest historik që nuk ishte përsëritur që 400 vjet

R.SH. / Vatikan

Akti i nderimit të shtatores së Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës, në Romë, të cilin Papa do ta kryejë në orën 16:00, më 8 dhjetor, do të paraprihet nga një ceremoni të vogël, gjysmë ore më parë, në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, ku Ati i Shenjtë Françesku do ta arrijë për vizitën tradicionale e për t’i sjellë "Trëndafilin e Artë"  ikonës së Shën Marisë që njihet si  Salus Populi Romani.

Trëndafili i Artë ka rrënjë të lashta. Simbolizon bekimin papnor. Tradita e kësaj dhurate daton që në mesjetë. Gjatë shekujve iu dhurua manastireve, shenjtëroreve, sovranëve dhe personaliteteve të shquara në shenjë njohjeje të përkushtimit të tyre ndaj fesë dhe së mirës së përbashkët. Me dhuratën e Trëndafilit për Zojën që shpëtoi jo vetëm një herë popullin romak Papa Françesku - lexojmë në një shënim në Bazilikën mariane – “nënvizon vlerën shpirtërore dhe kuptimin e thellë që ka në jetën e Kishës katolike, kjo ikonë e vendosur në shenjtëroren më të vjetër mariane të Perëndimit, kushtuar Nënës së Zotit”.

Dy të mëparshmet

Ai që Papa do të dhurojë nuk është i vetmi Trëndafil i kushtuar Zojës. I pari u dhurua në vitin 1551 nga Papa Juli III, që kishte nderim të veçantë për Ikonën Mariane të Bazilikës. Aty, në altarin e Skenës së Lindjes, ai kishte kremtuar Meshën e tij të parë.

Në vitin 1613 Papa Pali V i dhuroi Trëndafilin e Artë Zojës, me rastin e zhvendosjes së Ikonës së nderuar në kishëzën e re të ngritur posaçërisht për Të. Në Bazilikë nuk ruhen gjurmët e dy trëndafilave të artë të lartpërmendur të dhuruar nga dy Papët, ndoshta të humbur me pushtimin Napoleonik të Shtetit Papnor (Traktati i Tolentinos 1797). Prandaj, pas 400 vjetësh, vijon shënimi, "Papa deshi të japë një shenjë të prekshme të përkushtimit të tij ndaj ikonës së nderuar, duke forcuar lidhjen mijëvjeçare ndërmjet Kishës Katolike dhe qytetit të Romës".

"Gjest historik"

Me të dëgjuar lajmin e këtij homazhi, komisioneri i jashtëzakonshëm i bazilikës, Imzot Rolandas Makrickas, shprehu gëzimin e tij me fjalët: “Dhurata e Trëndafilit të Artë është gjest historik, që shpreh dukshëm lidhjen e thellë të Papës Françesku me Nënën e Zotit, e cila në këtë vend të shenjtë nderohet me titullin Salus Populi Romani. Populli i Zotit do të jetë në gjendje të forcohet edhe më tej në lidhjen e tij me Virgjrën e Lume. Nga Ajo, që shpëtoi më se një herë popullin romak, ne kërkojmë dhuratën e paqes për të gjithë botën".

05 dhjetor 2023, 08:04