Më 9 dhjetor, përurimi i betlehemit dhe i bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit
R.SH. – Vatikan
Kardinali Fernando Vérgez Alzaga dhe motër Raffaella Petrini, njëri Kryetar dhe tjetra, Sekretare e Përgjithshme e Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, do të përurojnë betlehemin, pra, skenën e Lindjes së Krishtit dhe do të ndezin pemën e Krishtlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Dhuruar nga Rieti dhe Saluzzo
Ceremonia, siç thuhet në njoftimin për shtyp të Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit, do të mbahet të shtunën, më 9 dhjetor, në orën 17.00. Do të jenë të pranishme delegacionet zyrtare të vendeve, që dhuruan betlehemin dhe bredhin, ardhur përkatësisht nga Valle Santa Reatina në dioqezën e Rietit dhe nga Macra në dioqezën e Saluzzo-s, gjithnjë në Itali. Ndër të tjerë, do të marrë pjesë edhe ipeshkvi i Rietit, imzot Vito Piccinonna, së bashku me ipeshkvin e Saluzzo-s, imzot Cristiano Bodo.
Audienca me Papën
Po atë ditë, paradite, delegacionet do të priten në audiencë nga Papa Françesku për paraqitjen zyrtare të dhuratave. Betlehemi dhe bredhi i zbukuruar do të qëndrojnë në Sheshin e Shën Pjetrit deri në fund të periudhës së Krishtlindjes, që përkon me festën e Pagëzimit të Zotit, të dielën, 7 janar 2024.