Kërko

Kardinali Krajewski me motrat e Nënë Terezës Kardinali Krajewski me motrat e Nënë Terezës

Krajewski: Toka Shenjte kërkon paqe të qëndrueshme e të vërtetë

Misioni i Lëmoshtarit të Papës në Tokën Shenjte është në përfundim e sipër. Sot, takimi me motrat e Nënë Terezës. Dita e djeshme u karakterizua nga çaste të ndryshme lutjeje me bashkësinë e krishterë të Nazaretit: “këtu, nuk ka nevojë vetëm për armëpushim, por për harmoni ndërmjet njerëzve”

R.SH. – Vatikan

“Jam dërguar në Tokën Shenjte nga Papa, për ta përfaqësuar atë në këto vende biblike, ku të krishterët luten për paqen. Jam dërguar të lutem me ta në emër të Atit të Shenjtë”. Kardinali Konrad Krajewski, pothuajse në fund të misionit të tij, bën një bilanc, duke shpjeguar kuptimin e ditëve të kaluara përkrah të vuajturve ndërmjet Jerusalemit, Betlehemit dhe Nazaretit. Sot, për drejtuesin e Dikasterit vatikanas për Bamirësinë, takimi me murgeshat misionare të Nënë Terezës në Jerusalem, me të cilat ndau vuajtjen për tri murgeshat, që ndodhen në Rripin e Gazës, pa mundur të dërgojnë asnjë lajm. Në mbrëmje, Krajewski kthehet në Vatikan me sigurinë se lutja “është frymëmarrja e shpirtit”, siç ka thënë disa herë Papa Françesku. Një shpirt që vuan sot nga luftërat, të cilat po e rrënojnë botën, siç nënvizoi Ati i Shenjtë ditët e fundit. Lutja lartuar Jezusit, Princit të Paqes, mund të bëjë shumë për t’i ndryshuar zemrat dhe për të dikuar një “humanitet” të ri.

Kardinali Krajewski në Nazaret
Kardinali Krajewski në Nazaret

Thirrje për paqe

Ndërkaq, dje, më 26 dhjetor, Lëmoshtari Apostolik ishte në Nazaret, në ditën kur Kisha përkujtoi martirizimin e Shën Shtjefnit. Duke kaluar nga Jerusalemi në Nazaret, në një udhë prej rreth 200 km, kardinali shkoi në Bazilikën e Lajmërimit të Zotit, së bashku me famullitarin e Gazës, për një "kohë lutjeje në heshtje". Krajewski dëshmon për një lutje gati të pëshpëritur dhe tejet të ndierë për paqen, në bashkim me Françeskun dhe me të krishterët anembanë botës. Një lutje që më pas u mishërua, duke u bërë pjesë e kremtimit të meshës dhe të Engjëllit të Tënzot. Një lutje - vazhdon ai – lartuar Hyjit së bashku me murgjit dhe të krishterët e besimeve të tjera. Pastaj, vizita në disa bashkësi fetare si tek murgeshat e Familjes Shenjte të Nazaretit dhe tek fretërit e urdhrit Fatebenefratelli, Urdhrit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit, që administron një spital të madh në qytetin e Jezusit.

Kardinali krajewski me murgjit në Nazaret
Kardinali krajewski me murgjit në Nazaret

Drejtësi dhe paqe

Pasdite, lutja pati si sfond Malin e Lumnive, në brigjet e liqenit të Tiberiadit. Këtu, reflektimi i kardinalit u nis nga predikimi i Jezusit në Mal, në veçanti nga fraza: "Lum veprimtarët e paqes...". “Aty - tregon kardinali Krajewski - u lutëm për paqen me këto fjalë: 'O Zot, ti na ke thënë se veprimtarët e paqes do të quhen bijtë e tu'. I kërkuam Hyjit: bëj që të kërkojmë atë drejtësi, e cila mund të na garantojë paqen e qëndrueshme dhe të vërtetë. Ja, u lutëm për këtë paqe: të qëndrueshme dhe të vërtetë. Jo vetëm për armëpushim, por për paqen në zemrat tona dhe ndërmjet nesh. Toka e Gazës ka nevojë për paqe”.

27 dhjetor 2023, 13:14