Kard. Parolin me të sëmurët e vegjël, në Spitalin Bambino Gesù
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin viziton, si çdo vit, pacientët e vegjël të spitalit pediatrik të Vatikanit, për t'u sjellë atyre urimin e Papës me rastin e Krishtlindjes. Ndërmjet batutave, fotove, përshëndetjeve, shtrëngimeve të duarve, një fëmije nga Pulia e pyet: "A je ti Padre Pio?". Kardinali thotë një Falemimëri në çdo dhomë të repartit të Gastroenterologjisë dhe sjell bekimin e dhuratat e Françeskut. Më në fund takohet me mjekë dhe infermierë: "Konsiderojeni veten agjentë të Selisë së Shenjtë, jini shpresë për të sëmurët"
"A je ti Padre Pio?" Kardinali Pietro Parolin shpërthen në të qeshura, nën maskë, pas pyetjes së Angelos. “Angelino”, 7 vjeç – “engjëll me emër dhe me jetë” – siç thotë i ati – vjen nga provinca e Leçes. Ditët e fundit i është nënshtruar transplantit të mëlçisë dhe është një nga rreth njëzet fëmijët që takoi Sekretari i Shtetit në orët e vona të pasdites së djeshme, 22 dhjetor, në departamentin e Gastroenterologjisë të Spitalit të Krishtit Fëmijë.
Nxitje për djalin, që mori diplomën e shkollës së mesme në spital
Në spitalin e Vatikanit, që njihet në Evropë e në mbarë botën, Kardinali Parolin shkoi për të sjellë urimet dhe dhuratat më të mira - përfshirë ato të dashurisë dhe afërsisë - të Papës Françesku. “Po ju sjell përshëndetjet e Papës, e dini?” - i thotë ai Andreas, i cili është shtruar në spital pas transplantit të mëlçisë. “Djalë i zoti, që e mori diplomën e shkollës së mesme këtu me ne”, shpjegojnë mjekët, “e dha provimin në spital”. "Shumë mirë" – brohoret kardinali Parolin. - “Dua të filloj universitetin, por me rrëmujën që kam pasur…” - kujton djali, ndërsa e ëma i tregon Sekretarit të Shtetit librat e vendosur në dritare, vëllime përgatitore për testet e hyrjes. "Mirë fort, shiko përpara".
Vizita e gjatë dhe e përzemërt, vijon me përshëndetje për Svevën, e cila është në spital prej dhjetë vjetëve. E me dialogë të shkurtër, që synojnë të lehtësojnë vuajtjet e të sëmurëve, por mbi të gjitha të prindërve, disa prej të cilëve kanë qenë pranë fëmijëve të tyre prej ditësh, muajsh apo vitesh. Edhe prej dhjetë vjetësh. Ashtu si babai dhe nëna e Svevës, e cila që kur ka lindur “ka pasur shumë gjëra të vogla për të rregulluar”, thotë mjeku që e ndjek.
Dhuratat e Papës
Kardinali u sjell atyre dhe familjeve të tjera një portret të vogël të Papës dhe u jep një kryq plastik me fytyrën e Krishtit.
Më pas Sekretari i Shtetit ndalet në një nga dhomat e departamentit të Gastroenterologjisë së Spitalit, për të vijuar nga dhoma në dhomë, duke thënë, së bashku me pacientët e vegjël, nga një Falemimëri.
Shaka, foto, përkëdhelje, bekime
Kardinali Parolin ecën nëpër repart për gati një orë, duke i përshëndetur të gjithë. E duke thënë Ave Marinë. Pothuajse një Rruzare në dhjetë dhomat ku hyn, përveç asaj të fundit të reanimacionit. Atje nuk hyn, por jep një bekim.
Foto me stafin
Duke u takuar me mjekë, infermierë dhe vullnetarë, Kardinali i quan: Agjentë të Selisë së Shenjtë". Pohon se është “i mahnitur” kur sheh mirëpritjen e fëmijëve por edhe të prindërve. Sa prekës - shton - është takimi me ata që punojnë në spital: “Nuk dua t’ju them të ndjeheni si zyrtarë të Selisë së Shenjtë, ndoshta do të ishte pak, sepse ju keni një përgjegjësi të madhe si punonjës shëndetësorë, infermierë, mjekë, administratorë, secili ka vendin e vet. Ju jeni, në njëfarë kuptimi, agjentë të Selisë së Shenjtë”- u thotë.
Kontaktet dhe projektet
Duke siguruar se do të ndjekë aktivitetin e spitalit përmes “kontakteve konkrete me presidentin” dhe duke përmendur “projektet” që shpreson se do të realizohen, Sekretari i Shtetit reflekton: “Ka një pyetje që shumëkush e bën dhe ndoshta është bërë më e shpeshtë në këto kohë: nëse Selia e Shenjtë duhet të ketë spitale, të menaxhojë spitale... Mirë, nuk është misioni i duhur, por nuk është mision i pahijshëm të këtë këtë përgjegjësi. Ne po kryejmë misionin e Jezusit për të shëruar të sëmurët. Ai erdhi për të shëruar, për të falur mëkatet, por edhe për të shëruar korp e shpirt. Ai ua dha dishepujve këtë detyrë, që Kisha e ka vazhduar gjithmonë dhe e ushtron sot nëpërmjet Krishtit Fëmijë”. Një spital që, thekson më tej Parolin, merr "lavdërime dhe vlerësime" nga të gjithë, madje edhe nga krerët e shteteve dhe qeverive që vijnë për të vizituar Vatikanin: "Të gjithë ndalojnë këtu dhe të gjithë do të donin të vendosnin kontakte dhe marrëveshje".
Në përfundim, si e quajti Spitalin “mbështetje për familjet”- Kardinali Parolin e nxiti personelin për të ecur përpara me “pasion” dhe “entuziazëm”, por mbi të gjitha, për të qëndruar pranë familjeve; “Sot e dimë se ka nevojë për të mbështetur familjet në kohë brishtësie, problemesh dhe vështirësish. Bëhuni arsye për shpresë për pacientët dhe familjet e tyre”. Kjo, përshëndetja e fundit e Kardinalit, para se të largohej, i prekur, por edhe entuziast, nga kjo ndërtesë, ku vijon ndeshja me vdekjen, që në shumicën e rastve përfundon me fitoren e jetës, duke e bërë Spitalin e të vegjëlve, “të madh” në gjithë botën.