Kërko

2023.12.22   Il cardinale Krajewski in un orfanotrofio di Betlemme 2023.12.22 Il cardinale Krajewski in un orfanotrofio di Betlemme

Kard. Krajewski: "Më folën për ferrin e Gazës"

Kardinali lëmoshtar, i dërguar nga Papa në Tokën e Shenjtë, u flet mediave të Vatikanit për kohën e kaluar ndërmjet njerëzve dhe realiteteve kishtare të Betlehemit, në sfondin e konfliktit në Rrip. Fola me disa të rinj që u arratisën e me një vajzë, që humbi dymbëdhjetë anëtarë të familjes. U lutëm me dhimbje, por jo pa shpresë.

R.SH. / Vatikan

Duhet zemër e madhe për t'i bërë vend dhimbjes dhe për ta mbushur rishtas me shpresë, kur gjithçka - shtëpia, dashuria, jeta - humbasin papritmas sigurinë dhe ngrohtësinë e zëvendësohen nga një pasiguri plot frikë. Pas vizitave të panumërta në zonën e luftës, në teatrin ukrainas, për kardinalin Konrad Krajewski ka ardhur koha të çojë përqafimin dhe ndihmën e Papës për Krishtlindje në frontin tjetër që, nga 7 tetori, e ka flakur Rripin  e Gazës dhe gjithë Tokën Shenjte në errësirën e një tragjedie tjetër.

Ledhatimi i Papës ndër jetimore

Rrëfimi i të dërguarit të Françeskut për mediat e Vatikanit fillon nga Betlehemi, ku ai mbërriti në orën 2 pas mesnate, vetëm që të mund të  gjunjëzohej në Bazilikën e Lindjes së Krishtit herët në mëngjes dhe menjëherë pas, të niste vizitën në qytet, me famullitarin e Gazës. "Shkuam në tri jetimore - tregon - ku kujdesen edhe të porsalindurit e marrë nga rruga, dy fëmijë të sjellë dje nga murgeshat". Kardinali ndaloi pak me ta për t'u lutur së bashku: “U lashë një ndihmë konkrete edhe nga ana e Atit të Shenjtë, sepse jetojnë me shumë vështirësi” - kujton. Më pas, ndalimi për drekë në seminarin e Patriarkanës së Betlehemit, ku jetojnë 38 seminaristë.

Një takim shumë i vështirë

Pasdite arrin çasti për një “takim shumë të vështirë”. Kardinali Krajewski flet për katër persona, mjaft të rinj, që erdhën për të biseduar me të. Ata patën fatin të largoheshin nga Gaza para se të fillonte ferri. Sepse për këtë, përsërit ai, bëhet fjalë. “Të gjithë anëtarët e familjes së tyre kanë mbetur. Një vajzë humbi 12 anëtarë të familjes. Ata erdhën për të treguar se si janë gjërat, për t'i treguar Atit të Shenjtë gjithë ferrin që është atje, ku nuk ka ujë, nuk ka rrymë elektrike, ku njerëzit që sillen rreth kishës janë gati 600 vetë". Ne u lutëm së bashku, shton Kardinali Krajewski, "sigurisht shumë të pikëlluar, por jo pa shpresë".

Betlehem, një hyrje e vetme

Një ditë e tërë e kaluar në vendin ku lindi Jezusi dhe ku sot kalohet ngadalë dhe nën kontroll të rreptë. “Mundem të hyjmë nga njëra anë, e vetmja hyrje, sepse palestinezët nuk mund të largohen nga Betlehemi, ata duhet të qëndrojnë në qytet”. Më pas, thotë kardinali Krajewski, "do të shohim se ku mund të shkojmë për të mbështetur bashkësitë e ndryshme fetare e priftërinjtë, që punojnë në këtë situatë shumë të vështirë". Më pas kujton se ka takuar edhe ipeshkvin greko-katolik: "Folëm për ndihmën, që  është e pamjaftueshme e duhet shtuar". Sepse në Krishtlindjet e këtij viti pa drita, e vetmja dritë që ngroh dhe tregon një drejtim, është ajo e afërsisë.

23 dhjetor 2023, 14:22