Kërko

Pasojat e konfliktit në Tokën Shenjte Pasojat e konfliktit në Tokën Shenjte  (AFP or licensors)

Kard. Krajewski: bota duhet të përkulet para Zotit, e do të lulëzojë paqja

Duke u kthyer nga misioni i tij në Tokën Shenjte, në emër të Papës Françesku, Kardinali Lëmoshtar përqendrohet në përvojën që jetoi në kufijtë e luftës në Gazë: në Atynë, Jezusi thotë "U bëftë vullndesa jote” dhe "Ardhtë mbretëria jote”. Kur njeriu ndjek vetëm vullnetin e vet dhe synimet e veta, shpesh lindin vuajtje dhe konflikte.

R. SH. - Vatikan

Shkova në Tokën Shenjte me besim e lutje, në këto vende ku tërbohet lufta, ku ka urrejtje, ka hakmarrje, ku njëri vret tjetrin, ku mungon uji, ushqimi, ku nuk ka energji elektrike. Edhe gjatë Krishtlindjes, ditëve më të shenjta për ne, ata nuk pushuan së luftuari, së vrari njëri-tjetrin, si në Ukrainë, ashtu edhe në Rripin e Gazës.

Arrita në këtë tokë me armët më të sofistikuara në botë: me besimin dhe lutjen, të cilat mund t’i lëvizin gjithmonë edhe malet, domethënë, t’u japin fund konflikteve... Po pse nuk është kështu? Kam qenë në të gjitha vendet ku jetoi Jezusi: në Nazaret, në Betlehem, në vendin ku u kryqëzua, u vra dhe më pas u ngjall. Atëhere pyes veten: "Zot, pse nuk ka paqe? Ti e do paqen". E mendoj këtë lutje: “Na çliro, o Zot, nga të gjitha të këqijat, na jep paqe në ditët tona”... Pra, pse nuk na e jep paqen në ditët tona?

Kam menduar shumë për faktin që kur hyjmë në Varrin e Shenjtë duhet të përkulemi, thuajse të thyejmë kurrizin, që të mund të hyjmë. Në shumë kisha, edhe në Betlehem, duhet të përkulemi, të përkulemi para misterit. Ndaj mendoj se ndoshta bota ka pushuar së përkuluri përpara Zotit, se ka pushuar së jetuari sipas logjikës së Ungjillit, sepse është mësuar me logjikën e botës. Ne njerëzit ndoshta e kemi vënë veten në vendin e Zotit dhe duam të urdhërojmë, të dënojmë, duke e bërë këtë pa mëshirë, pa dashuri. Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk ka paqe, sepse ne nuk përkulemi më përpara Zotit, para misterit.

Dje ishte festa e Shën Gjonit Apostull. Ai mbërriti te varri i Jezusit dhe u përkul që të mund të hynte, të shihte se i mungonte trupi, se ishte ringjallur. Por sot ne nuk përkulemi më, edhe nëse dyert këtu në Tokën e Shenjtë na thonë se duhet ta bëjmë këtë për të kuptuar misterin e Zotit, për të kuptuar dashurinë e tij, mëshirën e tij, për të jetuar sipas logjikës së mësimeve të Jezusit, sipas logjikës së Ungjillit.

Falenderoj Zotin që jetova këto ditë në Tokën Shenjte dhe që fillova ta kuptoj misterin e Zotit. Lutja Ati ynë, që na e mësoi Jezusi, thotë "U bëftë vullneti yt, o Zot", jo imi, sepse kur bëhet vullneti im, ka shumë luftëra, shumë vdekje. "Ardhtë mbretëria jote", jo e jona, e jona është mbretëria e shkatërrimit. “U shenjtëroftë emri yt”, jo i imi, kur emri im shenjtërohet unë jam i rrezikshëm për të tjerët. Pas "Atynës", prifti thotë: "Na çliro, o Zot, nga të gjitha të këqijat, jepu paqe ditëve tona". Shpresa ime është që paqja të lulëzojë vërtet në zemrat e njerëzve.

29 dhjetor 2023, 11:23