Imzot Turturro, nunc i ri në Paraguaj
R. SH. - Vatikan
Italian, i lindur në Bisceglie, në provincën e Barit, 45 vjeç, imzot Vincenzo Turturro do të largohet nga Vatikani, ku kohët e fundit punoi në Sekretarinë e Shtetit, në Seksionin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare e, ndërmjet tjerash, edhe si sekretar i veçantë i Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin. Tani do të jetë në Paraguaj, si nunci i ri apostolik. Kardinali Parolin e dha sot njoftimin në Sekretarinë e Shtetit.
Françesku e emëroi sot në detyrën e re, në vend të kryeipeshkvit Eliseo Antonio Ariotti, i cili largohet pasi ka arritur kufirin e moshës dhe e ngriti nuncin e ri në selinë titullare të Ravello, me dinjitetin e kryeipeshkvit.
Imzot Turturro u shugurua meshtar më 31 tetor 2003, duke u inkardinuar në Dioqezën e Molfetta-Ruvo-Govinazzo-Terlizzi. E pikërisht sot në mëngjes, në Katedralen e Santa Maria Assunta në Molfetta, ipeshkvi i kësaj dioqeze, Imzot Domenico Cornacchia, mblodhi bashkësinë kishtare lokale për të shpallur emërimin, në praninë e prindërve të nuncit të ri.
Në vitin 2006 Imzot Turturro mori një diplomë në Teologji Dogmatike (specializimi në Antropologji Teologjike) në Fakultetin Teologjik të Pulias. Në vitin 2006 filloi studimet në Romë, në Akademinë Kishtare Papnore. Në vitin 2009 kreu studimet në Teologji Dogmatike (specializim në Ekleziologji), pranë Universitetit Papnor Lateranens, me temë diplome kushtuar bashkimit dhe sinodalitetit në Kishë. Në të njëjtin Universitet, në vitin 2011, mori diplomën në të drejtën kanonike.
Nga viti 2009 deri në vitin 2012 shërbeu në Nunciaturën Apostolike, në Zimbabve. Në mars 2012 u transferua në Nunciaturën Apostolike në Nikaragua. Në vitin 2014 iu dha titulli Kapelan i Shenjtërisë së Tij dhe në vitin 2023, ai i Prelatit të Nderit të Shenjtërisë së Tij. Në korrik 2015 u transferua në Nunciaturën Apostolike në Argjentinë. Në janar 2019 punoi në Seksionin për Marrëdhëniet me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit dhe Organizatave Ndërkombëtare e që nga 1 gushti 2019 ushtroi detyrën e sekretarit të veçantë të Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin. Imzot Turturro di anglisht dhe spanjisht.