Parolin: kriza klimatike përballohet duke ndryshuar mënyrën e jetesës
R.SH. – Vatikan
Një firmë për të theksuar impenjimin e feve në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Rreth tridhjetë liderë fetarë e vendosën atë të hënën, më 6 nëntor, në Abu Dabi, me rastin e Samitit Global të Feve kushtuar ndryshimeve klimatike, në përfaqësim të bashkësive dhe të traditave kryesore fetare të botës. Deklarata ndërfetare e nënshkruar i impenjon liderët të mobilizojnë komunitetet e tyre për t’i bërë ballë krizës klimatike dhe t'u kërkojnë udhëheqësve politikë të ndërmarrin veprime konkrete në takimin COP28, që do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor. Kujtojmë se Papa Françesku do të marrë pjesë në të nga 1 deri më 3 dhjetor.
Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Për të, roli i feve është themelor në aksionin global kundër ndryshimeve klimatike.
Hirësi, çfarë roli mund të luajnë udhëheqësit fetarë në këtë çështje, të cilën shumë vetë e konsiderojnë punë të kësaj bote, që s’ka të bëjë me fenë?
Po, mendoj se ndryshimi i klimës është çështje laike. Në fakt, me të merren politikanët dhe bota e politikës, shkencëtarët e të tjerët. Por mendoj edhe se përfshirja e liderëve fetarë varet nga fakti se ka një përmasë etike dhe morale, të cilën Selia e Shenjtë po e nënvizon me forcë. Prandaj, mendoj se në këtë çështje, udhëheqësit fetarë mund ta ngrenë zërin për të thënë diçka dhe për të shtuar motivacione në përpjekjet aktuale të botës për zgjidhjen e këtij problemi.
Duke folur konkretisht për Selinë e Shenjtë, ajo luan një rol unik, pasi ka përfaqësi diplomatike në gjithë botën. Si e shihni ndikimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë në trajtimin e çështjeve të tilla si ndryshimi i klimës?
Ju e dini që Papa është shumë i interesuar [për çështjen e ndryshimeve klimatike], me të vërtetë shumë. Provë për këtë janë dy dokumentet, që ka shkruar: enciklika “Laudato si'”, që ishte me të vërtetë pikë referimi për shumë liderë botërorë dhe për shumë qeveri në takimin për klimën në Paris, ku u nënshkrua marrëveshja mbi ndryshimet klimatike, dhe tani Nxitja apostolike “Laudate Deum”, dokument që përpiqet ta aktualizojë Laudato si'. Natyrisht, Selia e Shenjtë interesohet për të gjitha aspektet e problemit, si përsa i përket uljes së emetimeve të gazit, ashtu edhe për rritjen e nivelit të deteve e për të tjera. Por vëmendja jonë përqendrohet sidomos mbi dy gjëra, mbi dy çështje të veçanta. E para është mënyra e jetesës. Nuk mjafton të përdorësh më shumë para – gjë, që s’do të thotë se nuk duhen investuar para, por nuk mjafton.
Vërtet duhet ta ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës që të mos e dëmtojmë Gjithësinë e krijuar nga Zoti, të mos e dëmtojmë natyrën, por të jemi administrues të përgjegjshëm të saj, siç thotë Papa. Kjo është detyra, që Zoti ia besoi njerëzimit kur e krijoi. Pika tjetër është edukimi. Është i rëndësishëm edukimi i brezave të rinj për t’i përdorur ndryshe pasuritë e kësaj bote. E ky është impenjim universal, mbarëbotëror i Selisë së Shenjtë. E patëm konfirmuar që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit. Pikërisht këtë pikë theksoi Selia e Shenjtë, sepse edhe ne marrim përsipër impenjimet tona në Qytetin e Vatikanit e, në këtë fazë, mund të miratojmë disa masa konkrete. Natyrisht, shteti ynë është shumë i vogël, nuk kemi ndikim të madh në këtë fenomen, por besojmë se mund të japim një kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj që ata t’i përdorin drejt pasuritë e kësaj bote.