Kërko

Don Pablo Blanco Sarto e Francesc Torralba Rosellò Don Pablo Blanco Sarto e Francesc Torralba Rosellò

Çmimin Ratzinger 2023 e marrin teologët Blanco Sarto dhe Torralba Roselló

Çmimi i dhënë nga Fondacioni vatikanas Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, në edicionin e 13-të, do t'u jepet dy pedagogëve e studiuesve spanjollë nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, më 30 nëntor. Atë paradite, në Kriptën e Vatikanit, do të kremtohet një meshë në kujtim të Papës së nderit, ndërsa pasditen e 29 nëntorit, në Universitetin Gregorian, do të mbahet konferenca studimore “Trashëgimia e Benediktit XVI”

R.SH. – Vatikan

Çmimi Ratzinger 2023 fitohet nga teologët e filozofët spanjollë Pablo Blanco Sarto dhe Francesc Torralba Roselló. Ai do t'u dorëzohet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, më 30 nëntor, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik. Ceremonia do të fillojë në orën 17.00 dhe do të karakterizohet nga reflektime mbi trashëgiminë e Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, gati një vit pas vdekjes së tij. Në mëngjes, në orën 08.15, në Kriptën e Vatikanit, do të kremtohet mesha në kujtim të Papës së nderit, i cili ndërroi jetë më 31 dhjetor 2022. Një ditë më parë, më 29 nëntor, duke filluar nga ora 17.00, Universiteti Papnor Gregorian organizon një konferencë studimore në anglisht mbi “Trashëgiminë e Benediktit XVI”.

Pablo Blanco Sarto, studiues i teologjisë së Ratzinger-it

Pablo Blanco Sarto u lind më 12 korrik 1964 në Saragoza (Spanjë). Pas studimeve për Filologji Hispanike në Universitetin e Navarrës, mbaroi për Teologji në Romë në Universitetin Papnor të Shën Kryqit, për të vijuar më pas me diplomën universitare dhe doktoraturën në Filozofi. Në tezën e doktoraturës trajtoi mendimin filozofik të Luigi Pareyson (1918-1991). U shugurua meshtar më 21 shtator 1997. Në vitin 2005 përfundoi doktoraturën në Teologji Dogmatike në Universitetin e Navarrës, me një studim mbi teologjinë themelore dhe atë të feve në punimet e Joseph Ratzinger. Aktualisht është profesor në Universitetin e Navarrës në lëndë, që përfshijnë fushën e ekumenizmit, të teologjisë sakramentore dhe të baritorisë kishtare. Bashkëpunon me Institutin Papa Benedikti XVI të Regensburgut (Gjermani), me institucione të shumta akademike spanjolle dhe latino-amerikane, me shtëpi botuese të ndryshme dhe me revista teologjike e baritore. Është anëtar i komitetit redaktues të Opera omnia të Joseph Ratzinger në spanjisht, në BAC (Biblioteca de Autores Cristianos). Është autor i studimeve dhe i vëllimeve të shumta mbi jetën, mendimin dhe veprën e Joseph Ratzinger-Benedikti XVI.

Torralba Roselló, ekspert në antropologjinë filozofike dhe etike

Francesc Torralba Roselló është filozof dhe teolog. I lindur në Barcelonë më 15 maj 1967, ai është i martuar dhe baba i 5 fëmijëve. Ka marrë doktoraturën në Filozofi nga Universiteti i Barcelonës (1992), në Teologji nga Fakulteti i Teologjisë së Katalonjës (1997), në Pedagogji nga Universiteti Ramon Llull (2018), në Histori, Arkeologji dhe Arte të Krishtera, nga Ateneu Universitar Sant Pacià, Fakulteti Antoni Gaudí (2022). Aktualisht është profesor i akredituar në Universitetin Ramon Llull dhe mban kurse dhe seminare në universitete të tjera në Spanjë dhe Amerikë.

Veprimtarinë e tij mësimore e alternon me impenjimin, që i kushton shkrimit dhe përhapjes së mendimeve të tij, të orientuara drejt antropologjisë dhe etikës filozofike. Autor, që ka botuar më se 1800 artikuj dhe mbi 100 libra.

Komiteti Shkencor i Fondacionit

Çmimi Ratzinger është nisma kryesore e Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger-Benedikti XVI. Siç përcaktohet nga Statuti, ai u jepet "studiuesve të dalluar për merita të veçanta në botime dhe/ose në kërkime shkencore", që kanë të bëjnë me mendimin filozofik e teologjik të Papës gjerman. Vitet e fundit, fusha e studimeve të fituesve të çmimit është zgjeruar, duke përfshirë artet me frymëzim të krishterë. Kandidatët për Çmimin i propozohen Papës për miratim nga Komiteti Shkencor i Fondacionit, i përbërë nga pesë anëtarë të emëruar nga Ati i Shenjtë. Aktualisht, ai përbëhet nga kardinajtë Kurt Koch (prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve), Luis Ladaria (prefekt nderi i Dikasterit për Doktrinën e Fesë), Gianfranco Ravasi (president nderi i Këshillit Papnor për Kulturën), nga kryeipeshkvi Salvatore Fisichella (pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin) dhe nga imzot Rudolf Voderholzer (ipeshkëv i Regensburgut dhe president i Institut Papst Benedikt XVI).

Shtyhet konferenca ndërkombëtare e planifikuar për në Bejrut

Fondacioni njofton gjithashtu se konferenca XI ndërkombëtare, organizuar prej tij në Liban, në Universitetin Notre Dame di Louaizé të Bejrutit, më 9-10 nëntor, është shtyrë, për shkak të situatës gjeopolitike ndërkombëtare pas konfliktit në atë rajon. Konferenca do të mbahej në 10-vjetorin e Nxitjes apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme” të Benediktit XVI dhe të udhëtimit të tij të fundit në Liban.

03 nëntor 2023, 16:08