Ukrainë, Kard. Parolin: të gjithë janë përgjegjës për gjetjen e rrugëzgjidhjes së konfliktit
R. SH. - Vatikan
Duhet një angazhimi "më i madh e më krijues", përndryshe qëllimi i paqes do të mbetet i largët. E mbi të gjitha, dhuna, vdekjet e të pafajshmëve, shkatërrimi i qyteteve dhe i mjedisit natyror do të vazhdojnë të shumëfishohen. Kardinali Pietro Parolin bashkoi edhe një herë zërin me "ndërhyrjet e panumërta" të Papës, të bëra me "këmbëngulje të pashoqe", në favor të një kombi si Ukraina, të cilin Françesku e quan sistematikisht në çdo rrethanë "vend i martirizuar". Fjalët drejtuar bashkësisë ndërkombëtare nga Sekretari i Shtetit janë ato që përmban video-mesazhi drejtuar mbi 65 vendeve pjesëmarrëse në Konferencën për Planin e Paqes, dëshiruar nga Presidenti ukrainas Zelensky fundjavën e kaluar, në Maltë.
Mos iu dorëzo tragjedisë
Samiti i mbajtur në ishull, kujton Kardinali Parolin, është shenjë e "përpjekjeve të lavdërueshme" të theksuara në takime të ndryshme, që kur propozimi për një takim në Maltë iu paraqit G20 në mes të nëntorit të vitit të kaluar. Shprehje inkurajuese e faktit se ndeshja e armatosur nuk konsiderohet "si mjet i pashmangshëm për zgjidhjen e konflikteve". E edhe e faktit që në nivel global “asnjeri nuk duhet të heqë dorë për të pranuar tragjedinë". E për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit kjo tregon se për gjetjen e zgjidhjes nuk është "përgjegjëse vetëm Ukraina": “përgjegjësia është e përbashkët".
Përfytyrojini rrugët e paqes
Prej këndej, thirrja për angazhim edhe "më të madh e më krijues" "në të gjitha nivelet", për të hapur shtigje "që aktualisht duken të papranueshme ose të pamundura". Shtigje, që i shtohen atyre, të cilët shumë organe ndërkombëtare po i shkelin tashmë "për të garantuar Ukrainën, që të mund të mbrojë paprekshmërinë e territorit të saj, t'u garantojë qytetarëve sigurinë dhe nevojat e jetës dhe të arrijë paqen e shumëdëshiruar". Nga ana e tij, Kardinali Parolin përsëriti se "Selia e Shenjtë bën thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me integritetin territorial", pa harruar mbështetjen për çështjet humanitare, "si siguria ushqimore, ruajtja e mjedisit natyror" dhe, veçanërisht “kthimi i të burgosurve dhe i fëmijëve në Ukrainë”.