Thirrje nga Sinodi: kush trafikon armë, të rizbulojë ndjenjën e humanizmit
R. SH. - Vatikan
Lajmet e Vatikanit
Autoriteti - që në Kishë është "shërbim", "ushtrohet këmbëzbathur" - dhe çështja e abuzimeve, ishin ndër temat kryesore, të trajtuara në diskutimet e kongregacionit të trembëdhjetë (në praninë e 341 pjesëmarrësve) dhe të katërmbëdhjetë (në praninë e 343 pjesëmarrësve) në seancën e parë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbajtur dy ditët e fundjavës, gjithnjë me ndërhyrjet e lira të rretheve më të vogla. Njoftimin e dha Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Komunikimit dhe kryetar i Komisionit të Informacionit, në konferencën me gazetarët, e cila filloi dje, në orën 14:20, në sallën e shtypit të Selisë së Shenjtë dhe u paraqit nga zv.drejtoresha, Cristiane Murray.
Autoriteti nuk është sundim, por shërbim
Duke u ndaluar tek ndërhyrjet e pasdites së pardjeshme dhe të djeshme, në seksionin B3 të Instrumentum laboris - titulli i të cilit është "Pjesëmarrja, detyrat e përgjegjësisë dhe autoritetit" - Ruffini shpjegoi se angazhimi për të "shmangur autoritarizmin" u riafirmua dhe se "autoriteti nuk është sundim, por shërbim". Duke rikujtuar, veçanërisht, një nga shprehjet më domethënëse të përdorura në Sallë, prefekti kujtoi se autoriteti "ushtrohet zbathur". Ata që “kanë autoritet - vijoi - nuk duhet të kontrollojnë gjithçka, por të kenë aftësinë për të deleguar”; ndërsa ipeshkvi "ka fjalën e fundit, por jo të vetmen". Ndër temat e trajtuara ishin edhe “roli i barinjve në shërbim të të varfërve”, pikërisht në stilin e lutjes që kryesoi Papa në Sheshin e Shën Pjetrit për emigrantët dhe refugjatët. Vëmendje duhet t'i kushtohet - u theksua në ndërhyrje - "britmës së atyre, që vuajnë rrugash". Për më tepër, "ipeshkvijtë duhet të bëjnë thirrje për shndërrimin e zemrave, në mënyrë që ndjenjat e humanizmit të ringjallen tek ata që, duke trafikuar armë, ndihmojnë për shpërthimin e "luftës së tretë botërore", që do t’i shkaktonte vuajtje miliona njerëzve.
Bashkëpërgjegjësi në Kishë
"Bashkëpërgjegjësia" është një nga fjalët që u dëgjua më shumë në ndërhyrje. Kjo fjalë kaq e gjatë, kuptohet "si përfshirje dhe koordinim i karizmave" - kujtoi Ruffini. Në këtë drejtim, në punime u theksua rëndësia e vlerësimit të figurave, aftësive dhe në veçanti angazhimit të laikëve. Prefekti më pas sqaroi edhe çështjen e numrit të pjesëmarrësve në Sinod: me Papën, janë 365. Duke kujtuar metodat e ndryshme të pjesëmarrjes, Ruffini vuri në dukje se janë përfshirë edhe njëqind persona të tjerë - duke arritur kështu në numrin 464 - por prania e tyre, padyshim, nuk llogaritet në komunikimet zyrtare. Bëri të ditur, gjithashtu, se Sekretariati i Përgjithshëm i jep përparësi bisedës me ata që ende nuk kanë marrë pjesë në procedurë. Sekretarja e Komisionit të Informacionit, Sheila Pires, vazhdoi më pas konferencën duke bërë të ditur se në sallë, edhe ndërmjet laikëve, kishte nga ata, që folën kundër klerikalizmit, duke theksuar se “ka sjellë shpërdorime të pushtetit, të ndërgjegjes, të ekonomisë, pa harruar edhe shpërdorimet seksuale”. E këto shpërdorime - këmbënguli Pires - kanë bërë që Kisha të "humbasë besueshmërinë", aq sa të jetë i nevojshëm një "mekanizëm kontrolli". Sinodaliteti, siç u theksua në ndërhyrje, sipas asaj që raportoi Pires, "mund të kontribuojë në parandalimin e abuzimeve, sepse është proces, që ka të bëjë me dëgjimin dhe dialogun”.
Reformat e nevojshme në kishë
Përsa i përket reformave, u fol për ndryshime të nevojshme që të mund të arrihet transparenca më e madhe e strukturave financiare dhe ekonomike; e rishikimit të së drejtës kanonike dhe gjithashtu e disa “titujve” që janë bërë anakronikë. Duke iu rikthyer sinodalitetit, u theksua urgjenca e forcimit të strukturave ekzistuese - si këshillat baritore - duke qenë të kujdesshëm për të mos rënë në përçarje parlamentare. Së fundi, Pires nënvizoi se ndihet veçanërisht çështja e pranisë së bashku me të rinjtë në mjedisin dixhital, një vend i vërtetë misioni për të bashkuar ata që ndodhen në periferi të largëta. Realisht - u theksua në përfundim - bëhet fjalë për takimin e këtyre të rinjve aty ku janë, domethënë, në rrjetet e ndryshme sociale.