Sipas Fides, katolikët në botë po shtohen kudo, përveç Evropës
R.SH. / Vatikan
Numri i katolikëve në botë është në rritje, ndërsa numri i priftërinjve, i rregulltarëve e rregulltareve si dhe i misionarëve laikë dhe katekistëve, po zvogëlohet ndjeshëm. Rritje ndjehet në numrin e diakonëve të përhershëm dhe seminaristëve të vegjël. Afrika dhe Azia vazhdojnë të kryesojnë përsa i përket thirrjeve meshtarake dhe të shuguruarve, ndërkohë që në Evropë, e në disa raste edhe në Amerikë, regjistrohen rënie të ndjeshme. Këto janë disa nga prirjet makroskopike, që pasqyrohen në raportin statistikor të redaktuar, si zakonisht, nga Fides dhe të publikuar në prag të Ditës të 97-Botërore të Misionit, që kremtohet të dielën, më 22 tetor. Tabelat e përfshira në dokumentin e paraqitur sot u morën nga "Vjetari Statistikor i Kishës", i fundit i botuar (përditësuar më 31 dhjetor 2021) dhe kanë të bëjnë me anëtarët e Kishës, strukturat baritore, aktivitetet në fushën e shëndetësisë, mirëqenies dhe arsimit.
Katolikët po shtohen, veçanërisht në Afrikë
Në gjirin e një popullsie botërore prej 7,785,769,000, katolikët numërojnë 1,375,852,000 vetë, me një rritje të përgjithshme prej 16,240,000 vetë, krahasuar me vitin e kaluar. Rritja prek të gjithë kontinentet, përveç Evropës. Ashtu si në të kaluarën, është më e madhe në Afrikë (+8,312,000) dhe Amerikë (+6,629,000), e ndjekur nga Azia dhe Oqeania. Po ta kemi parasysh shifrën në përqindje, ka një rënie të lehtë (-0,06) krahasuar me një vit më parë, e barabartë me 17,67%. Përsa i përket kontinenteve, variacionet janë minimale.
Në rënie, ipeshkvijtë, meshtarët e murgeshat
Numri i përgjithshëm i ipeshkvijve në botë zvoglohet me 23 njësi, duke arritur në 5340. Rritje të shpërndarjes së tyre ka në Afrikë; rënie, në Amerikë. Numri i përgjithshëm i priftërinjve në botë ulet, duke arritur në 407,872 (-2,347). Evropa shënon sërish rënie të ndjeshme (-3632); me të bashkohet edhe Amerika (-963). Rritje regjistrohen në Afrikë (+1518), në Azi (+719) dhe në Oqeani (+11). Raporti nënvizon prirjen drejt rënies globale të rregulltareve, gjë që po ndodh prej kohe, me 10,588 njësi. Sot janë gjithsej 608.958. Rritjet numerike janë në Afrikë (+2,275) dhe Azi (+366), uljet, në Evropë (-7,804), Amerikë (-5,185) dhe Oqeani (–240). Përsa u përket rregulltarëve jo meshtarë, edhe këtu ka një rënie prej 795 njësi, pra numri i përgjithshëm është 49774.
Vazhdon të rritet numri i diakonëve të përhershëm
I veçantë, numri i diakonëve të përhershëm të cilët, ndryshe nga tendencat e konstatuara për zona të tjera, vazhdojnë të rriten, këtë vit me 541 njësi, duke arritur në 49176. Rritjet shënohen në të gjitha kontinentet. Institutet laike, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, po shtohen në Afrikë, ndërsa zvogëlohen në Amerikë dhe Evropë. Duke pasur parasysh misionarët laikë, janë 410.449 prej tyre në botë, pakësuar me 3.112 njësi dhe me një shpërndarje që favorizon Evropën, Amerikën, Azinë, Oqeaninë dhe Afrikën. Numri i katekistëve në botë ulet në përgjithësi me 5,397 njësi, duke arritur në 2,877,652. Rënia shqetëson më shumë kontinentin amerikan. Sipas statistikave të studiuara nga Fides, seminaristët, si dioqezanë ashtu edhe rregulltarë, ndjekin të njëjtën prirje të rënies globale, me përjashtim të Afrikës, por edhe të Oqeanisë, në rastin e dioqezanëve. Një rast të veçantë meritojnë seminaristët e vegjël, numri i përgjithshëm i të cilëve u rrit me 316 njësi, duke arritur në 95714. Forca lëvizëse mbështetet gjithmonë nga kontinenti afrikan.
Prania e Kishës në arsim dhe shëndetësi
Në fushën e arsimit dhe edukimit, Kisha drejton 74.368 çerdhe, 100.939 shkolla fillore dhe 49.868 institucione të mesme në mbarë botën. Më tej, ajo ndjek 2,483,406 nxënës të shkollave të mesme dhe 3,925,325 studentë universiteti. Në fushën e shëndetësisë, bamirësisë dhe institucioneve të ndihmës, ka 5,405 spitale, 14,205 ambulanca, kryesisht në Afrikë (5,061) dhe Amerikë (3,523); 567 koloni lebroze të shpërndara kryesisht në Azi (290) dhe Afrikë (215); 15,276 shtëpi për të moshuar, të sëmurë kronikë dhe invalidë, kryesisht në Evropë (8,149); 9703 jetimore kryesisht në Azi (3230). Gjithashtu kujtojmë 10,567 kopshte, 10,604 qendra këshillimi për martesë, 3,287 qendra të edukimit social ose riedukimit, shumica e të cilave janë në Amerikë.