Selia e Shenjtë: të drejtat e njeriut dhunohen nga lufta e nga mungesa e lirisë fetare
R.SH. – Vatikan
“Shpallja solemne e të drejtave të njeriut, 75 vjet më parë, fatkeqësisht, është ende në kontradiktë me realitetin e dhimbshëm të shkeljeve të tyre, të mungesës së lirisë fetare, të luftërave dhe të dhunës së të gjitha llojeve”. Kështu deklaroi imzot Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Komitetin e Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për delegatin e Vatikanit, nuk mund të flasim për të drejtat e njeriut aty ku ka gjenocide, shpërngulje masive, forma të reja skllavërie, praktikisht, në gjithë globin, si trafikimi i qenieve njerëzore, fëmijët ushtarë, shfrytëzimi i punëtorëve, trafiku i paligjshëm i drogës, prostitucioni. “Edhe në vendet me forma demokratike të qeverisjes, këto të drejta nuk respektohen gjithmonë plotësisht - vërejti imzot Caccia. - Misioni ynë i përbashkët është të sigurojmë që këto të drejta universale të njeriut të gëzohen nga të gjithë, kudo, në çdo fazë të jetës së tyre”.
Burimi i të drejtave të njeriut
Kryeipeshkvi shpjegoi se të drejtat e njeriut i kanë rrënjët në dinjitetin e natyrshëm dhe të barabartë për të gjithë njerëzit, dhënë nga Zoti. Burimi i këtyre të drejtave nuk duhet kërkuar thjesht, në vullnetin e njeriut, në realitetin e shtetit, në pushtetet publike, por tek vetë njeriu dhe tek Zoti, Krijuesi i tij. Për këtë arsye, të drejtat e njeriut, vuri në dukje imzot Caccia, nuk janë koncesion i shteteve apo i qeverive, të cilët e kanë për detyrë t'i promovojnë dhe t’i mbrojnë ato.
Mungesa e respektit për njeriun minon themelet e shoqërisë njerëzore
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut pranon se dinjiteti njerëzor është themeli i barazisë, kujtoi Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, duke shtuar se "çdo anëtar i familjes njerëzore ka vlerë të paçmueshme" dhe se mungesa e respektit dhe e mbrojtjes së tij minon vetë themelet e shoqërisë njerëzore. “E drejta për jetën është në qendër të respektimit të vlerës së barabartë të çdo njeriu, pa të cilën asnjë e drejtë tjetër nuk mund të ushtrohet apo të gëzohet”, vazhdoi imzot Caccia, duke kujtuar thirrjen e Papës, më 9 janar të këtij viti, para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Në atë rast, Françesku iu drejtua "ndërgjegjes së grave dhe burrave vullnetmirë, që të angazhohen për të mbrojtur të drejtat e më të brishtëve dhe për të luftuar kulturën e hedhurinave, që prek të palindurit, të sëmurët, të paaftët e të moshuarit”.
Liria e fesë dhe e besimit, tregues për shoqërinë
Më pas, prelati nënvizoi se dinjiteti njerëzor nuk mund të mbrohet pa garantuar liritë themelore, sidomos lirinë e fesë e të besimit, bazë për liritë e tjera e tregues i vërtetë i shkallës së respektimit të të drejtave të njeriut në një shoqëri. Të drejtat, theksoi imzot Caccia, lidhen ngushtë me detyrat e, respektimi i të dyjave, e çon përpara shoqërinë. E drejta e një personi korrespondon me detyrën e të tjerëve për ta njohur dhe respektuar atë, shpjegoi Vëzhguesi i Vatikanit, i cili e quajti “kontradiktëm pohimin e të drejtave pa njohur përgjegjësitë përkatëse”.