Kërko

Papa rrëfen të rinjtë, Portugali, Dita Botërore e Rinisë Papa rrëfen të rinjtë, Portugali, Dita Botërore e Rinisë

Rrëfimi: më 26 e 27 tetor, seminar formimi i Pendestarisë apostolike

Të enjten, më 26 tetor, Pendestaria apostolike organizon në Romë seminarin “Kremtimi i Sakramentit të Rrëfimit sot”

R.SH. – Vatikan

“Kremtimi i Sakramentit të Rrëfimit sot”: kjo është tema e seminarit të dytë, organizuar ga Pendestaria apostolike, që do të fillojë pasditen e së enjtes, 26 tetor, në Pallatin e Kancelarisë, në Romë. Që prej 30 vitesh, Pendestaria formon meshtarët e rinj për shërbesën e rrëfimit përmes kursit vjetor kushtuar të ashtuquajturit Forum i brendshëm, që ka të bëjë me ndërgjegjen. Me këtë nismë, lexohet në një notë, synohet të “përqendrohet vëmendja nga ana tjetër e rrëfyestores, duke u vënë në vend të besimtarëve, sidomos të laikëve, të cilët duan të marrin faljen e Zotit pikërisht përmes Sakramentit të Rrëfimit”. Prandaj, objektivi i kursit është "të kontribuojë në rizbulimin e këtij Sakramenti, ndonjëherë të anashkaluar, ose të keqkuptuar, për të nënvizuar bukurinë e tij dhe për të ndihmuar në kremtimin e tij me motivim të rinovuar".

Programi i dy ditëve, gjatë së enjtes 26 (pasdite) dhe së premtes 27 tetor (paradite e pasdite), përfshin leccio magistralis të kardinalit Mauro Piacenza, kryependestar, me temë: "Kthesa: dhurata e Hirit hyjnor dhe vepra e lirisë". Ky leksion do të pasohet nga dy hyrje në temë, njëra nga këndvështrimi biblik (Át Serafino Tognetti) dhe tjetra nga ai antropologjik (prof. Cristiana Freni). Të premten paradite, regjenti i Pendestarisë, imzot Krzysztof Nykiel, do të reflektojë mbi temën, në dritën e marrëdhënieve ndërmjet detyrës për të rrëfyer dhe hirit të rrëfimit, ndërsa don Marco Panero do të flasë për kuptimin dhe rëndësinë e shqyrtimit të ndërgjegjes, si ushtrim praktik për shëndetin e shpirtit. Së fundi, Át Jaime Emilio González Magaña do të përqendrohet në dallimet ndërmjet rrëfimit dhe shoqërimit shpirtëror, të dyja mjete që mbështesin udhën e krishterë drejt shenjtërisë.

Në seancën e fundit, pasditen e së premtes, pas relacionit të Paolo Bencetti-t, i cili do të vërë në dukje nevojën për të inkurajuar paraqitjen e Sakramentit të Rrëfimit në fazat e ndryshme të katekizmit, do të flasin katër dëshmitarë, të cilët e kanë provuar personalisht gëzimin e takimit sakramentor me Atin e mëshirshëm dhe rolin vendimtar, që luan Sakramenti i Pajtimit në udhën e fesë.

24 tetor 2023, 16:48