Kërko

Papa Francesco si affaccia insieme a 5 bambini per presentare l'iniziativa “Impariamo dai bambini e dalle bambine” Papa Francesco si affaccia insieme a 5 bambini per presentare l'iniziativa “Impariamo dai bambini e dalle bambine”

Papa dhe fëmijët nga e gjithë bota së bashku më 6 nëntor

Në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shpall nismën “Të mësojmë nga djemtë dhe vajzat” që do të mbahet më 6 nëntor në Vatikan, falë patronazhit të Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin. Një mënyrë, shpjegon Françesku, për t'u "kthyer dhe rikuperuar ndjenjat e pastra si fëmijët"

R.SH. – Vatikan

Pesë fëmijë, që përfaqësojnë pesë kontinentet, dolën së bashku me Papën Françeskun në dritaren e pallatit apostolik, në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë lutjes sotme të Engjëllit të Tënzot, përballë besimtarëve të shumtë që i shikonin, gjatë paraqitjes së një iniciative, e cila, shpjegon Papa, do të mbahet pasditen e 6 nëntorit të ardhshëm, në sallën Pali VI, në Vatikan, me temën: “Të mësojmë nga djemtë dhe vajzat”, një aktivitet i sponsorizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin.

Një takim për të manifestuar ëndrrën e ne të gjithëve: të kthehemi për t’i përvetësuar ndjenjat e pastra si fëmijët. Sepse kush është i pastër si një fëmijë i përket Mbretërisë së Zotit. Fëmijët na mësojnë qartësinë e marrëdhënieve, pritjen spontane të atij që është i huaj dhe respektin për të gjithë Krijimin. Të dashur fëmijë dhe të gjithë ju, pres të mësoj edhe unë nga ju!

Janë Pamela, 7 vjeçe, e cila vjen nga Siria; Grigoryi, gjithashtu 7 vjeç, i cili vjen nga Ukraina, vendi i shkatërruar nga lufta që është në zemrën e Papës. Pastaj Alessio, 10 vjeç, është nga Benini; Alejandro, 7 vjeç, vjen nga Guatemala dhe në fund Thomas, 9 vjeç, vjen nga Australia. Ata përfaqësojnë mbi 6 mijë fëmijë nga shumë vende të botës. Nisma promovohet nga komuniteti i Shën Egjidit, nga Cooperativa Auxilium dhe nga Federata Italiane e Futbollit.

Për të rikuperuar shikimin e të vegjëlve

"Disa fëmijë vijnë nga zonat më të vështira, më të varfra dhe më domethënëse të planetit," tha për Telepace At Enzo Fortunato, koordinator i përgjithshëm i nismës, duke shpjeguar se në Itali organizata përfshin pjesëmarrjen e shkollave rajonale dhe mbështetjen e Hekurudhave të Italisë. Ndërsa lista e vendeve të origjinës së fëmijëve përfshin vende si Maroku, Siria, Palestina dhe Ukraina. Është, pra, një ngjarje në shkallë globale që pasqyron vëmendjen e Papës së Romës për fëmijërinë, për paktin arsimor dhe për nevojën për të rikuperuar shikimin e të vegjëlve.

01 tetor 2023, 16:30