Papa: 27 tetori është ditë lutjeje për paqe
R.SH. - Vatikan
“Po kujtoj se për të premten e ardhshme, më 27 tetor, kam shpallur ditë agjërimi, lutje dhe pendese dhe se atë mbrëmje në orën 18:00 në Shën Pjetër, në Vatikan do të kemi një orë lutje për të kërkuar prej Zotit paqen në botë”. Kështu pohon Papa Françesku në Twitter.
Dita e lutjes, e agjërimit dhe e pendesës për paqen, që u shpall nga Papa Françesku, do të kremtohet të premten e ardhshme, më 27 tetor. Është lutje për atë që po ndodh në Tokën Shenjte dhe në vatrat e tjera të luftës në botë. Lutje që ka gjithnjë në qendër të vëmendjes shqetësimet e Papës për çka po ndodh në Palestinë dhe Izrael, ku viktimat po shtohen, ndërsa situata në Gaza është e dëshpëruar. Ndaj Papa i fton të gjithë paqedashësit e botës të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur katastrofën humanitar".
Ajo që e shqetëson Françeskun është zgjerimi i mundshëm i konfliktit "ndërsa shumë fronte lufte janë tashmë të hapura në botë". Papa kërkon të heshtin armët, të dëgjohet klithma për paqe e të varfërve pa bukë, e njerëzve pa plang, fëmijëve pa prindër! Lufta - për Papën - nuk zgjidh asnjë problem: mbjell vetëm vdekje e shkatërrim;nthellon urrejtjen e shumon hakmarrjen. Lufta fshin të ardhmen e njerëzimit!
Në përfundim të audiencës së përgjithshme, të mërkurën e kaluar më 18 tetor, Papa u foli besimtarëve edhe për ditën e lutjes, të premten e ardhshme, më 27 tetor. Duke u kujtuar "se lufta e fshin të ardhmen, ndaj armët duhet të heshtin e të dëgjohet klithma e fëmijëve, e të varfërve, e popujve për paqen" Prej këndej, thirrja e Françeskut: “Vëllezër dhe motra, të vazhdojmë të lutemi për paqen në botë, veçanërisht në Ukrainën e martirizuar, për të cilën nuk flitet më, por ku “drama vazhdon”!
Papa u bën thirrje besimtarëve të luten e të mbajnë një anë të vetme: “atë të paqes”, me uratë dhe përkushtim të plotë. Prej këndej thirrja për një ditë lutjeje, të premten, më 27 tetor, në Shën Pjetër, në orën 18. Ftesa u drejtohet edhe “vëllezërve dhe motrave të besimeve të ndryshme të krishtera, që u përkasin feve të tjera dhe atyre që e kanë për zemër kauzën e paqes". Kërkesa për përgatitjen e nismave të ngjashme shtrihet edhe në të gjitha Kishat e veçanta.