Kërko

Canova, Musetë e Vatikanit Canova, Musetë e Vatikanit

Muzetë e Vatikanit kremtojnë artistin Antonio Canova

Ekspozita “Antonio Canova në muzetë e Vatikanit” organizuar në dyqindvjetorin e vdekjes së tij, i kushtohet marrëdhënies së ngushtë dhe të frytshme të përfaqësuesit më të famshëm të neoklasicizmit në skulpturë dhe koleksioneve papnore. Sala delle Dame është e hapur për publikun: do të ketë një ekspozitë të përhershme të gipsit nga artisti, që luajti role të rëndësishme institucionale për Papët, mbikëqyrësi, drejtori i muzeve dhe figura kryesore në rikthimin e veprave të vjedhura nga Napoleoni

40 vjet në shërbim të Papëve, protagonist i padiskutueshëm i skulpturës ndërmjet shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, i vlerësuar në jetë si Fidia i ri, Antonio Canova, në përfundim të kremtimeve për dyqindvjetorin e vdekjes së tij në Venecia, më 1822, kremtohet me madhështi nga Muzetë e Vatikanit.

Antonio Canova në Muzetë e Vatikanit. Dëgjoni intervistën me Barbara Jatta, në italisht...
Ekspozita "Antonio Canova në Muzetë e Vatikanit"
Ekspozita "Antonio Canova në Muzetë e Vatikanit"

Studioja romake

Ekspozita, e hapur deri në janarin e ardhshëm, ndahet në seksione të ndryshme të koleksioneve papnore: në dhomën XVII të Pinakotekës së Vatikanit ekspozohet busti madhështor i Piut VII duke rikrijuar, kështu, atmosferën e studios romake të skulptorit që, në vitin 1783, e zgjodhi si vend për atelienë e tij në një ndërtesë ndërmjet Via delle Colonnette dhe Via di San Giacomo, sot Rruga Antonio Canova.

Riprodhim i studimit të Antonio Canovës
Riprodhim i studimit të Antonio Canovës

Ishte cak shumë i kërkuar për udhëtarët në Grand Tour, por edhe artistët plot etje për t’i “rrëmbyer” mësimet e çmuara të Mjeshtrit, veçanërisht i ndjeshëm ndaj të rinjve në vështirësi, të cilët i ndihmoi personalisht edhe nëpërmjet bamirësisë së heshtur. Këtë e mban mend Alessandra Rodolfo, kuratore e ekspozitës dhe drejtuese e departamentit për artin e shekullit të 17-të dhe të 18-të në Muzetë e Vatikanit.

Etika, arti dhe diplomacia

“Etika, arti dhe diplomacia mund të konsiderohen tre atributet e Canova-s”, shpjegon historiani i artit që ishte përgjegjës për zbulimin në depozitat e Pinakotekës, në vitin 2010, të disa veprave të cilat, të restauruara me mjeshtri, tani mund të soditen në grupin e ekspozitës së përhershme në një nga dhomat më të rafinuara të Muzeut të Vatikanit, deri tani e pahapur për publikun.

Dëgjoni intervistën me Alessandra Rodolfo, në italisht...
Feja Katolike, bocete në allçi, krijuar nga Canova, ekspozuar në Sala delle Dame, në Muzetë e Vatikanit
Feja Katolike, bocete në allçi, krijuar nga Canova, ekspozuar në Sala delle Dame, në Muzetë e Vatikanit

Është Salla e Zonjave, e porositur nga Pali V Borghese ndërmjet viteve 1608 dhe 1609: shikonte drejtpërdrejt kopshtet dhe burimet monumentale të ndërtuara nga vetë Papa dhe qe zbukuruar me afresket e mrekullueshme të qemerit nga Guido Reni kushtuar Rrëshajëve, Shndërrimit të Krishtit dhe Ngjitjes së Zotit në qiell.

Tavani i Sallës së Zonjave, afreskuar nga Guido Reni
Tavani i Sallës së Zonjave, afreskuar nga Guido Reni

Role të rëndësishme institucionale

“Këtë mjedis shumë të çmuar, që ndodhet në kryqëzimin ndërmjet dhomave të Raphael-it dhe Kapelës Sikstine, pranë daljes së Galerisë së Hartave Gjeografike, ia kushtuam Antonio Canovas”- shpjegon drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, që mori pjesë drejtpërdrejt në organizmin e ekspozitës. “Duam të dëshmojmë  dashurinë dhe vëmendjen tonë ndaj Antonio Canovës, ish-drejtor i muzeve, mbikëqyrës dhe inspektor i antikiteteve të Shtetit Papnor, artist kryesor në vitet vendimtare të pushtimit napoleonik dhe të Restaurimit”.

Hyrja në Sallën e Zonjave në Muzetë e Vatikanit
Hyrja në Sallën e Zonjave në Muzetë e Vatikanit

Rikthimi i punimeve nga Franca

Kujtohet këtu edhe rikthimi i veprave të mbartura nga Napoleoni në Paris  e që, pas Traktatit të Tolentinos më 1799, u vendosën në Muzeun e Luvrit për njëzet vjet: "Është çasti kur Canova shikohet si hero"- kujton Jatta - “hero i rikuperimit të veprave të Rafaelit, Peruginos, Karavaxhios dhe i restaurimit papnor, por edhe i rikuperimit të veprave të lashtësisë dhe të traditës, të vlerave të kulturës sonë dhe të kulturës së Papës. Politika kulturore papnore vlerësoi aftësitë e tij organizative, shpirtin e tij të shërbimit dhe interesin për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë artistike, që iu besua kontrollit të tij vigjilent. Muzetë e Vatikanit i detyrohen tepër  këtij personaliteti të jashtëzakonshëm! E kjo është edhe arsyeja, që na nxiti ta festonim ashtu si e meriton. Themi “si e meriton”, në kohën e tashme, sepse artistët si ai lindin një herë e nuk vdesin kurrë! "

A. Canova, Autoportret, 1812, gips, Muzetë e Vatikanit, Salla e Zonjave
A. Canova, Autoportret, 1812, gips, Muzetë e Vatikanit, Salla e Zonjave

Salla e Damave

“Në “Sala delle Dame” – vazhdon Barbara Jatta - rrinin zonjat që prisnin të takonin Papën: një mjedis i mrekullueshëm, me pamje nga kupola dhe kopshtet, i zbukuruar me pilastra, që paraqesin motive nga Lozhat e Vatikanit, të cilat dëshmojnë për kultin e Rafaelit në shekullin e nëntëmbëdhjetë, por mbi të gjitha, me një afresk të shekullit të 17-të nga Guido Reni, i restauruar kohët e fundit”.

C. Baruzzi, Kryet e Krishtit (frymëzuar nga Vaji mbi korpin e Krishtit, vepër e Canov-ës), 1827-1830, mermer, Salla  Zonjave.
C. Baruzzi, Kryet e Krishtit (frymëzuar nga Vaji mbi korpin e Krishtit, vepër e Canov-ës), 1827-1830, mermer, Salla Zonjave.

“Jo vetëm që po hapim një sallë të re”, që deri më sot nuk bënte pjesë në itinerarin e vizitës - vijon drejtoresha e Muzeut të Vatikanit, por “po ekspozojmë edhe bocete të pabotuara të Canova-s, vepra që shumë pak i kishin parë më parë, objekt restaurimi prej shumë vitesh nga 'Laboratori ynë i restaurimit të metaleve dhe qeramikës: terrakota, kallëpe, të cilat nuk kanë pastërtinë dhe lëmimin e punimeve të përfunduara të Canova-s, por po zbulojnë frymëzimin, dorën e parë, shpikjen dhe krijimtarinë e artistit”.

Antonio Canova, Vajtimi mbi Krishtin e Vdekur, rreth 1820 © Muzetë e Vatikanit
Antonio Canova, Vajtimi mbi Krishtin e Vdekur, rreth 1820 © Muzetë e Vatikanit

Idetë e para të Canova-s

“Këto bocete janë dëshmi e rëndësishme, që vërtetojnë rrugën krijuese të Canova-s, idetë e tij të para”, pohon Alessandra Rodolfo: “Shumë vepra nuk u përfunduan kurrë”: mendoni për “Fenë Katolike”, të refuzuar nga kanonikët e Shën Pjetrit ose Vajtimet, konceptuar nësa artisti përgatitej të takohej me vdekjen! Të tjera, si 'Autoportreti i Canova-s' ose 'portreti i Bossi-it', të pabotuara, ishin në ruajtje dhe nuk u morën kurrë në konsideratë. Ruhet edhe një kokë e vogël e Shën Gjonit, riprodhim i një vepre shumë të rrallë të Canova-s, i cili krijoi dy variante të kësaj teme, njëra prej të cilave nuk u gjet kurrë”.

A. Canova, Kryet e Shën Gjonit të mitur, post 1817-1821, gjeso, Salla e Zonjave, Muzetë e Vatikanit
A. Canova, Kryet e Shën Gjonit të mitur, post 1817-1821, gjeso, Salla e Zonjave, Muzetë e Vatikanit

Allçi për të përhapur artin

Alessandra Rodolfo ndalohet posaçërisht tek autoportreti: "një portret i famshëm prej allçie i Canova-s, i realizuar në vitin 1812 edhe në mermer. E ripunoi disa herë, për ta përdorë si një lloj vetëpromovimi, duke e imituar paksa Raphaelin, për të përhapur stilin e tij, artin e tij. Edhe në mes të rinjve”.

A. Canova, Busti i Piut VII, sek. XIX, gipsi, Muzetë e Vatikanit, Sala delle Dame, inv. 57778.jpg
A. Canova, Busti i Piut VII, sek. XIX, gipsi, Muzetë e Vatikanit, Sala delle Dame, inv. 57778.jpg

Ekspozita shpaloset në hapësira të ndryshme të Muzeve të Vatikanit të lidhura me veprimtarinë e Canova-s ku, në përputhje me veprat, vizitorët do të gjejnë një sërë panelesh shpjeguese: nga Kabineti i Perseut në Cortile Ottagono - te Galeria Chiaramonti e deri në Braccio Nuovo, nderimet e fundit që qytetërimi ynë mundi t'u bëjë të Lashtëve.

25 tetor 2023, 16:11