Lindja e Mesme, imzot Gallagher dhe Ministri i jashtëm i Iranit: jo zgjerimit të konfliktit
R. SH. - Vatikan
Shqetësimi për situatën në Tokën e Shenjtë, thirrja që të mos zgjerohet konflikti dhe arritja në zgjidhjen me dy shtete për sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme. Kjo, përmbajtja e bisedës telefonike të Imzot Paul R. Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare me Hossein Amir-Abdollahian, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit. Lajmin e dha drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke sqaruar se biseda është kërkuar nga ministri iranian.
Gjatë bisedës, lexojmë në njoftimin e Brunit, “Imzot Gallagher shprehu shqetësimin serioz të Selisë së Shenjtë për atë që po ndodh në Izrael dhe në Palestinë, duke përsëritur nevojën absolute për të shmangur zgjerimin e konfliktit dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. E edhe një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.
Thirrja e Papës gjatë Engjëllit të Tënzot
Dje, në Engjëllin e Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku bëri thirrje për të "ndërprerë zjarrin", për t’u krijuar hapësira ndihmave humanitare në Gaza, ku situata po keqësohet nga ora në orë, si dhe për të liruar pengjet. “Askush të mos e braktisë mundësinë e ndalimit të armëve, le të pushojë zjarri. Ndalimi i luftës është gjithmonë disfatë, gjithmonë, gjithmonë”, pohoi me forcë Françesku nga dritarja e Pallatit Apostolik.
Telefonata me Erdoganin dhe Biden
Më 26 tetorin e kaluar, vetë Papa pati një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë së cilës - sipas pohimit të Brunit - "shprehu dhimbjen e thellë për atë që po ndodh". Papa kujtoi gjithashtu "qëndrimin e Selisë së Shenjtë, duke shpresuar se mund të arrihet një zgjidhje me dy shtete dhe me një statut të veçantë për qytetin e Jeruzalemit".
Kujtojmë edhe se më 22 tetor Papa Françesku i telefonoi Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden: në qendër të bisedës, situatat e konfliktit në botë dhe nevoja për të zgjedhur rrugët drejt paqes.