Parolin: sulmi kundër Izraelit ishte çnjerëzor, por mbrojtja e ligjshme të mos godasë civilët
R.SH. – Vatikan
“Selia e Shenjtë është gati për çdo ndërmjetësim të nevojshëm, si gjithmonë...”. Gjashtë ditë pas sulmit terrorist të së shtunës së kaluar kundër Izraelit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e cilëson atë "çnjerëzor", duke përsëritur thirrjen e Papës Françesku për lirimin e të gjitha pengjeve nga duart e Hamasit. Kardinali kërkon të mos kalohet masa në operacionet për mbrojtjen e ligjshme të Izraelit, duke shprehur shqetësimin për viktimat civile të bombardimeve në Gazë. Ai rithekson se, pavarësisht nga ç’po ndodh këto ditë, paqja e vërtetë dhe e drejtë mund të arrihet vetëm përmes zgjidhjes së dy shteteve, “e cila do t'u jepte mundësinë palestinezëve dhe izraelitëve të jetojnë krah për krah, në paqe e siguri”.
Vetëmbrojtja të respektojë parametrin e proporcionalitetit
“Sulmi terrorist, i kryer nga Hamasi dhe nga milicitë e tjera të shtunën e kaluar kundër mijëra izraelitëve, që përgatiteshin të kremtonin ditën e Simchat Torah, në fund të festës njëjavore të Sukkot (festa e Tëbanave), është çnjerëzor – deklaron kardinali Parolin për mediat e Vatikanit. - Selia e Shenjtë shpreh dënimin e saj të plotë dhe të prerë. Përveç kësaj, jemi në ankth për burrat, gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që mbahen peng në Gazë. U shprehim afërsinë familjeve të prekura, shumica e të cilave janë hebraike, lutemi për ta, për njerëzit e tronditur, për të lënduarit. Duhet të kthehemi tek arsyeja, të braktisim logjikën e verbër të urrejtjes dhe të refuzojmë zgjidhjen me dhunë. Ai që sulmohet ka të drejtë të mbrohet, por vetëmbrojtja duhet të respektojë edhe parametrin e proporcionalitetit. Nuk e di se ç’mundësi për dialog mund të ketë ndërmjet Izraelit dhe milicëve të Hamasit, por nëse ka dhe shpresojmë të ketë, ajo rrugë duhet ndjekur menjëherë dhe pa vonesë. Kjo, për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme, siç po ndodh në Gazë, ku ka shumë viktima civile të pafajshme, pas sulmeve të ushtrisë izraelite”, denoncon më tej kardinali Pietro Parolin.
Zgjidhja me dy shtete
Papa Françesku thekson gjithnjë se paqja nuk arrihet pa drejtësi, pra, paqja duhet të jetë e drejtë. Mbi këtë argument, Sekretari i Shtetit të Vatikanit përmend latinët, që thoshin “Opus iustitiae pax”, pra nuk ka paqe ndërmjet njerëzve pa drejtësi. “Mua më duket – vijon reflektimin kardinali - se drejtësia më e mundshme në Tokën Shenjte është zgjidhja me dy shtete, e cila do t'i lejojë palestinezët dhe izraelitët të jetojnë krah për krah, në paqe dhe në siguri, duke përmbushur aspiratat e shumicës së tyre. Kjo zgjidhje, e parashikuar nga bashkësia ndërkombëtare, kohët e fundit u është dukur e pamundur disave, si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra. Për të tjerë, nuk ka qenë kurrë e mundur. Selia e Shenjtë është e bindur për të kundërtën dhe vazhdon ta mbështesë këtë zgjidhje. Por, ç’është e drejtë në këtë moment? Është e drejtë që pengjet të kthehen menjëherë, përfshirë ata, që Hamasi i mban edhe nga konfliktet e mëparshme. Prandaj, unë rinovoj fuqishëm thirrjen e zjarrtë e të përsëritur të Atit të Shenjtë Françesku: e drejta e do që, gjatë vetëmbrojtjes, Izraeli të mos vërë në rrezik civilët palestinezë, të cilët jetojnë në Gazë. E drejta kërkon që në këtë konflikt – si në çdo tjetër – të respektohet plotësisht ligji humanitar”.
Lirimi i pengjeve izraelite dhe mbrojtja e jetëve të pafajshme në Gazë
I pyetur për ndonjë nismë të mundshme diplomatike nga ana e Selisë së Shenjtë, të ngjashme me atë për konfliktin ruso-ukrainas, Sekretari i Shtetit të Vatikanit përgjigjet: “Po, lirimi i pengjeve izraelite dhe mbrojtja e jetëve të pafajshme në Gazë janë në qendër të problemit të krijuar nga sulmi i Hamasit dhe nga reagimi i ushtrisë izraelite. Janë edhe në qendër të shqetësimeve tona, të Papës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Selia e Shenjtë është gjithmonë gati për çdo ndërmjetësim të nevojshëm, si përherë. Ndërkohë, përpiqet të flasë me instancat, të cilat i kanë të hapura kanalet diplomatike. Megjithatë, çdo ndërmjetësim për t'i dhënë fund konfliktit duhet të marrë parasysh një sërë elementesh, që e bëjnë çështjen tejet të ndërlikuar dhe të shumanshme, si çështja e ngulimeve izraelite apo siguria e qytetit të Jerusalemit. Një nga zgjidhjet mund të gjendet në dialogun e drejtpërdrejtë të palestinezëve me izraelitët, inkurajuar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, megjithëse tani, gjithçka do të jetë më e vështirë”, pranon kardinali Pietro Parolin.
Askush nuk mund ta mendojë as Palestinën, as Izraelin, pa praninë e krishterë
Në dy intervistat e fundit për gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano”, presidenti palestinez Mahmud Abbas dhe ai izraelit Isaac Herzog shprehën vlerësimin për fjalët e paqes, që vijnë nga pakica e krishterë e Tokës Shenjte. Megjithatë, të krishterët detyrohen të vuajnë nga një konflikt, në të cilin nuk marrin aspak pjesë. Gjendja e të krishterëve në Gazë është shqetësuese, pasi kjo bashkësi e vogël ka rrezik të zhduket. Për t’i ndihmuar të krishterët e Tokës Shenjte, kardinali Parolin kërkon, para së gjithash, lutje dhe afërsi shpirtërore e materiale, siç po bën aktualisht edhe vetë Papa e Selia e Shenjtë. “Të krishterët – vijon kardinali - janë pjesë themelore e tokës në të cilën Jezusi u lind, jetoi, vdiq dhe u ringjall. Askush nuk mund ta mendojë as Palestinën, as Izraelin, pa praninë e krishterë, e cila është aty që nga zanafilla e do të jetë aty përgjithmonë. Është e vërtetë se tani bashkësia e vogël katolike e Gazës - rreth 150 familje - po vuan shumë. E, kur një gjymtyrë vuan, i gjithë trupi, pra, e gjithë Kisha vuan. E dimë që janë mbledhur në famulli. Famullitari nuk mundi të kthehej dhe ndodhet aktualisht në Betlehem. Gjithçka është ndalur, paralizuar, si në një ngërç frike dhe zemërimi. Lutemi për izraelitët, lutemi për palestinezët, lutemi për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët”, përfundon kardinali Pietro Parolin, duke përmendur fjalët e Psalmit 122: “Lutuni për paqen e Jerusalemit… Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi do të them: Paqja me ty! Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!”