Kardinali Parolin kujton veprën e Leonit XII
R.SH. / Vatikan
“Papa Leoni XII kaloi një epokë komplekse, jo të lehtë, siç ishte ajo e dekadës së tretë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e cila përkoi me epokën e Restaurimit. Asokohe donin të rindërtonin, të rivendosnin një rend të ri ndërkombëtar, bazuar në Koncertin Evropian, ndonjëherë duhej të kënaqeshin me restaurimin e ndërtesave të shkatërruara, sipas vetë ndërgjegjes së protagonistëve të kohës. Pavarësisht analizave historiografike që mund t'i bëhen figurës së tij, duhet të njohim aftësinë e Leonit XII, (Papë nga 05/10/1823 deri më 10/02/1829) për të ruajtur, gjatë gjithë misionit të tij, objektivin që çdo besimtar duhet të ketë para syve të tij: t'i japë lavdi vetëm Zotit".
Me këto fjalë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin kujtoi veprën e Papës Leonit XII, në shekull Annibale della Genga, dyqind vjet pas zgjedhjes së tij në fronin papnor, më 28 shtator 1823, në predikimin e Meshës së Shenjtë përkujtimore kushtuar atij, dhe bashkëkremtuar me Imzot Francesco Massara, ipeshkëv i Fabriano Matelica në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Kardinali Parolin bëri homazhe te varri tokësor i Papës Leonit XII, që ndodhet brenda Bazilikës së Vatikanit, përballë altarit të Shën Leonit të Madh, për të cilin në epigrafin Annibale della Genga e deklaron veten «adhurues i përulur, më i vogli nga trashëgimtarët e një emri kaq të madh".