Kard. Comastri: në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’i kërkuar ndihmë Marisë
R. SH. - Vatikan
Takimi i ri me Rruzaren dhe procesioni, mbrëmë, e shtunë, 28 tetor, nisi në orën 21:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte çasti i katërt dhe i fundit liturgjik në kalendarin e hartuar nga Bazilika e Vatikanit në lidhje me punën e Sinodit. Lutjen e kryesoi Kardinali Angelo Comastri, kryeprift nderi i Bazilikës së Shën Pjetrit. “Me shumë dëshirë e pranova ftesën”, pohoi kardinali për Telepace, duke iu drejtuar pjesëmarrësve: të pranishmëve dhe atyre që ishin në bashkësi shpirtërore përmes mediave falë transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv të kësaj ngjarjeje prekëse.
“Zoja gjithmonë i përgjigjet lutjes. Lutuni, prandaj, pa u lodhur kurrë – bëri thirrje kardinali. Ngulmoni e lutuni! “Lutja i jep hapësirë Zotit që të ndërhyjë”. “Lutja - pohoi - nuk është shtesë, por domosdoshmëri: pa të nuk mund të jetohet”. “Duhet ta kuptojmë se Zoti e dëshiron bashkëpunimin tonë”. Zoti, që troket në derë: nëse dikush ia hapë, mund të hyjë. Përndryshe - nënvizoi Kardinali Comastri - “dera mbetet e mbyllur. Nuk mund të thyhet!. Kjo, vlera e lutjes dhe e unitetit, përballë dinamikave që prekin Kishën dhe shoqërinë”.
Ndiqeni intervistën me kardinalin Angelo Comastri
Drama e luftës na çorienton. Na duket sikur njerëzit bërtasin: “Ndihmë, dashuria po zhduket në botë!”, siç thotë titulli i veprës së Kardinalit, e sapobotuar nga San Paolo. Prelati i lartë kujton se teksti lindi nga një provokim: nga një kopertinë e revistës gjermane Der Spiegel, ku dukej një i ri duke u puthur para pasqyrës, për të ilustruar shoqërinë e së ardhmes me në qendër veten dhe egoizmin tënd. “Më erdhën sakaq në mendje fjalët e Nënë Terezës - kujtoi - që më pati thënë: “Nuk do të gjesh kurrë një egoist të lumtur”. A e duam ne një shoqëri të tillë? “Duhet ta bëjmë diçka, nuk mund të japim dorëheqjen” - vijon Kardinali Comastri, duke shpjeguar më pas se vëllimi përqendrohet tek disa histori, si ajo e Shën Maria Gorettit. “Duhet të fillojmë nga familja” - theksoi në vijim. Kjo është e vetmja rrugëdalje. Por me një paralajmërim: “Edhe familja duhet të fillojë sërish nga dashuria”. Në këtë pikë, kardinali citon sërish Nënë Terezën. “Ai gjithmonë thoshte: 'Një familje që lutet, nuk tutet, nuk shpërbëhet. Sepse në familjen që lutet është i pranishëm Zoti; e Zoti është i vetmi që mund të na japë mësimin e dashurisë”.
E njëjta gjë vlen edhe për familjen e madhe të Kishës, mbledhur në lutje, në shumë rrethana të veçanta, në vazhdën e thirrjeve të Papës. Bërthamave të reja - vijon kardinali – u kujtoj gjithmonë se martesa është mision dhe se ne duhet të angazhohemi. Duhet të lutemi çdo ditë së bashku, sepse lutja bashkon, shkrin dhe çliron nga shumë ngërçe egoizmi që janë gjithmonë brenda nesh. Mbrenda të gjithëve". Lutja në jetën e përditshme ka shumë rëndësi: të ndihmon ta kapërcesh tundimin e hakmarrjes, si zgjidhje për gabimet. “Hakmarrja është si lufta – nënvizon Kardinali Comastri – nuk e zgjidh problemin, por i shton një fyerje të re tjetrës. Të rrokim armët? Por me armë – Papa e ka thënë disa herë - ia nis lufta! E po nisi, nuk di të mbarojë kurrë!”.