Kërko

Mons. Dimitrios Salachas Mons. Dimitrios Salachas

Ka ndërruar jetë Imzot Dimitrios Salachas ish-eksark apostolik i Greqisë

Ka ndërruar jetë episkopi katolik i ritit bizantin grek, Imzot Dimitrios Salachas, ish-eksark apostolik i Greqisë nga viti 2008 deri në vitin 2016. Sot në mëngjes Salachas është kthyer në shtëpinë e Atit në moshën 84-vjeçare, varrimi do të bëhet të premten në orën 10:00 në Kishën Katedrale të Trinisë së Shenjtë në Athinë. Imzot Salachas ka qenë pik referimi në të drejtën kanonike për Kishën Lindore e shumë i përzemërt dhe i afërt edhe me Kishat e Arbëreshëve, të cilat i ndohmoi në çdo kohë.

R.SH. / Vatikan

Ka ndërruar jetë episkopi katolik i ritit bizantin grek, Imzot Dimitrios Salachas, ish-eksark apostolik i Greqisë nga viti 2008 deri në vitin 2016. Sot në mëngjes Salachas është kthyer në shtëpinë e Atit në moshën 84-vjeçare, varrimi do të bëhet të premten në orën 10:00 në Kishën Katedrale të Trinisë së Shenjtë në Athinë.

Dimitrios Salachas lindi në Athinë më 7 qershor 1939, hyri në seminarin e vogël të Etërve Asuncionistëve dhe më pas kaloi në seminarin e vogël të Eksarkatit Apostolik të Greqisë. Studioi filozofi në Universitetin Papnor Urbaniana dhe teologji në Universitetin Papnor Gregoriana, në Romë. Më pas studioi në seminarin e Shën Anës në Jerusalem. Më 9 shkurt 1964 u shugurua meshtar i Eksarkatit Apostolik të Greqisë në Jerusalem.

Imzot Dimitrios Salachas ka qenë një meshtar, peshkop e studiues i madh, dha një kontribut të jashtëzakonshëm, ishte pik referimi në fushën e së drejtës kanonike për Kishën Lindore e shumë i përzemërt dhe i afërt edhe me Komunitetet Arbëreshe. Me vdekjen e Imzot Dimitrios Salachas Arbëreshët bjerrin një mik të urtë që i ndihmoi të njihnin dhe përjetonin thellësisht traditat e tyre të veçanta.

Më 9 shkurt 1964 u shugurua meshtar i Eksarkatit Apostolik të Greqisë në Jerusalem. Ai u diplomua në të drejtën kishtare utroque iure në Universitetin e Athinës. Në vitin 1971 u emërua profesor në Institutin Ekumenik të Barit, në Itali, dhe më pas dha të drejtën kanonike orientale edhe në Institutin Papnor Oriental, në universitete të ndryshme romake dhe në Institut katolik në Paris.

Ai ka qenë anëtar i komisionit teologjik për dialogun ekumenik me Kishat Ortodokse që nga krijimi i tij, konsulent i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Orientale, i Këshillit Papnor për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve dhe i Këshillit Papnor për Tekste Legjislative. Ka qenë gjithashtu edhe gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Signatura Apostolike dhe anëtar i komisionit të posaçëm për trajtimin e rasteve të zgjidhjes së martesës in favorem fidei.

Ka botuar libra dhe artikuj të shumtë mbi të drejtën kanonike të Kishës lindore. Në vitin 2006 u emërua kapelan i Shenjtërisë së Tij.

Më 23 prill 2008 Papa Benedikti XVI e emëroi atë eksark apostolik të Greqisë dhe peshkop titullar të Dioqezës a Eparkisë së Karkabisë. Mori shugurimin episkopal më 24 maj 2008 nga peshkopi ndihmës i Făgăraş dhe Alba Iulia Imzot Mihai Cătălin Frățilă, me bashkëshugurues peshkopin e Sira dhe Milo Franghískos Papamanólis dhe peshkopin ndihmës të Kievit Hlib (Borys Sviatoslav) Lonchyna. Më 14 maj 2012 u transferua në selinë titullare të Dioqezës a Eparkisë së Grazianopolit.

Më 27 gusht 2014, Papa Françesku e emëroi anëtar të komisionit të studimit për reformën e procesit kanonik martesor. Ky komision e përfundoi punën e tij me botimin nga Papa në vitin 2015 të motu proprio Mitis Iudex Dominus Iesus dhe Mitis et misericors Iesus mbi reformimin e procesit kanonik për shkaqet e shpalljes së pavlefshme të martesës në Kodin e së Drejtës Kanonike dhe në Kodin e Kanoneve të Kishave Lindore.

Në shkurt 2015 Imzot Dimitrios Salachas bëri vizitën e tij ad limina Apostolorum. Më 2 shkurt 2016, Papa Françesku pranoi dorëheqjen e tij nga qeverisja baritore e ekzarkatit për shkak të mbushjes së moshës.

Më 14 nëntor 2014, Fakulteti i së Drejtës Kanonike Lindore i Institutit Papnor Oriental të Romës e nderoi atë me një doktoratë nderi për kontributin e tij shkencor në fushën e së drejtës kanonike Lindore.

(nga Antonio Calisi – incittagiovinazzo.it)

16 tetor 2023, 17:48