Papa Françesku: dëgjimi dhe kuptimi, thelbi i rrugës sinodale
R.SH. - Vatikan
Vetë Françesku e ka përmbledhur synimin e këtij Sinodi, i pesti i papnisë së tij, që ka për qëllim të dëgjojë, kuptojë dhe zbatojë vullnetin e Zotit”, lexojmë në një postim të publikuar sot në faqen @Pontifex , në pragun e hapjes së Sinodit. Dëgjimi, mirëkuptimi, pra edhe dialogu janë si udhëzues të këtij kuvendi të madh kishtar i cili filloi në mënyrë të paprecedentë “nga poshtë” në vitin 2021 me një konsultim të dioqezave dhe famullive kishtare nga çdo vend i botës dhe më pas vazhdoi me fazën kontinentale në Azi, Afrikë, Amerika, Lindja e Mesme, Oqeani.
Punimet fillojnë me përshëndetjen e Papës
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve do të fillojë nesër pasdite në sallën Pali VI (dhe jo në sallën e re të Sinodit).
Në orën 16.15 do të mbahet kongregacioni apo mbledhja e parë e përgjithshme në prani të Papës, i cili do të përshëndetet dhe do të vijojë relacioni i sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Mario Grech, dhe relatorit të përgjithshëm, kardinalit Jean Claude Hollerich. Gjithnjë Hollerich do t'u ilustrojë të gjithë pjesëmarrësve edhe dokumentin Instrumentum laboris, i cili është dokumenti bazë i punës së Etërve dhe Nënave sinodalë, rezultat i kontributeve të fazave të lartpërmendura dioqezane dhe kontinentale të Sinodit dhe që ofron përvojën e Kishave vendore tës botë që vuajnë nga luftërat, pabarazitë, varfëria, nga plagët e abuzimit, ose që kërkojnë të njihet roli i gruas e laikëve dhe të përtërihet gjuha e Kishës në fusha të ndryshme.
Reflektime dhe takime
Këto janë temat kryesore në qendër të 21 kongregacioneve apo të mbledhjeve të përgjithshme dhe 35 grupeve të qarqeve më të vogla, të ndara në pesë gjuhë (anglisht, italisht, spanjisht, portugalisht, frëngjisht) që do të zhvillohen duke filluar nga 5 tetori.