Kërko

Etërit dhe nënat e Sinodit ndër Katakombe, shtegtim në rrënjët e krishterimit

Pushim i shkurtër, në punimet e Sinodit: dje pasdite pjesëmarrësit vizituan, në katakombet e Shën Sebastianit, të Shën Kalistit dhe të Domitilës, gurët e varreve dhe kamaret e papëve, të martirëve e të krishterëve. Në Bazilikën e Shën Sebastianit, një çast lutjeje dhe reflektimi nga kardinali Hollerich: "Jemi për udhë, drejt realiteteve tona". Emocioni i ipeshkvit kinez Yang dhe i atyre që i vizitonin për herë të parë këto vende të historisë dhe të kujtesës

R.SH. / Vatikan

“Hera e parë që i shoh, përvojë e thellë të shohësh drejtpërdrejt se ku filloi Kisha, ku zu fillë feja ime”. Ipeshkvi kinez Gjon Pagëzuesi Yang Xiaoting dhe disa gazetarë u emocionuan thellë gjatë këtij shtegtimi në katakombet e Shën Sebastianit, të Shën Kalistit dhe Domitilës, që la gjurmë të thella në kujtesën e rreth 250 pjesëmarrësve në Sinodin mbi Sinodalitetin.

Ishte një pushim i shkurtër në punimet e asamblesë së mbledhur që më 4 tetor në Sallën Pali VI, organizuar për t’i shoqëruar kardinajtë, ipeshkvijtë, besimtarët dhe të ftuarit në rrënjët e fesë së bashkësive të para të krishtera të Romës. Atje ku u ndërthur rruga e Pjetrit dhe e Palit, simbol i atij "uniteti në larmi" që Papa uron të jetë shenjë dalluese e vetë Sinodit.

Ndërmjet varreve dhe kriptave

Duke lënë mënjanë sandalet dhe mokasinet e duke mbathur atlete, me çanta shpine e xhaketa, në një shtegtim rrënqethës me temperatura nëntokësore, etërit dhe nënat pjesëmarrës në sinod, zbritën në 15 metra thellësi, për të hyrë në kamare, kripta, arkosolie dhe kubikula, e për t’u ndaluar posaçërisht pranë varreve të papëve me mbishkrime e me simbolet e peshkut, të pëllumbave, të spirancave. Si ato të gdhendura në varrin e Liberës së vogël që - lexohet në epigrafin latin - pas vetëm “dy vjetësh e 3 ditësh” vdiq në “orën e gjashtë të natës, katërmbëdhjetë ditë para majit”.

Kujtimi i Paktit të Katakombeve

Prej këndej, një çast lutjeje, historie dhe kujtese, i jetuar një ditë pas përvjetorit të Koncilit II të Vatikanit. Rikujtim i atij 16 nëntori të vitit 1965 kur 42 Etërit e Koncilit, kryesisht nga Amerika Latine, nënshkruan Paktin e famshëm të Katakombeve. Pakt, me të cilin ipeshkvijtë dhe meshtarët u angazhuan për krijimin e një "kishe të varfër", të lirë nga të gjitha simbolet dhe privilegjet e pushtetit, për vënien e të varfërve në qendër të shërbimit baritor. Një angazhim që mbetet aktual edhe në këtë sinod, i cili ka në qendër - ndërmjet të tjerave – dëshirën për një Kishë që mund të shoqërojë sot çdo formë “varfërie”: të përjashtuar, të lënë pas dore, emigrantë, viktima të luftës dhe të shpërdorimeve...

Këngë e lutje

Shtegtarët e kësaj udhe tejet prekëse, kishin me vete në broshurën e shtegtimit edhe Tekstin e Paktit të Katakombeve, parë si referencë bibliografike, por edhe, shpjegojnë organizatorët, si "pikënisje për meditim personal". Së bashku me këtë, edhe një fragment nga Ungjilli i Markut (nga rrëfimi i Pjetrit për mësimin e Jezusit mbi ndjekjen e Tij), Besojmën dhe tekstin e Adsumus Sancte Spiritus, kënduar nga pjesëmarrësit në Bazilikën e Shën Sebastianit. Faza e parë e këtij shtegtimi tejet prekës u zhvillua në këtë ndërtesë të shekullit të IV-të, e cila u ngrit nga nekropolet pagane, duke nisur nga ora 16:00, pas rreth tre çerekë ore udhëtimi me autobus (për shkak të trafikut romak), duke filluar nga sheshi përballë Shtëpisë së Shën Martës.

Vendi i përqafimit të Pjetrit me Palin

Secili me broshurën e tij, në gjuhë të vet, pjesëmarrësit e shtegtimit, të shpërndarë në hyrje të  Bazilikës, u lutën në heshtje për disa çaste. Më pas u mirëpritën nga Imzot Pasquale Iacobone, kryetar i Komisionit Papnor për Arkeologjinë Kishtare, bashkëpunëtor në këtë nismë. “Në rrugën sinodale është e rëndësishme të paraqesim këto vende shumë domethënëse për Kishën. Është një vizitë që duam ta ringjallim me rastin e këtij Jubileu, tha prelati.

Në këto vende me rëndësi historike dhe shpirtërore, u takuan Pjetri dhe Pali. Këtu u jetua "harmonia e apostujve" -  kujtoi imzot Iakobone -  "përqafimi i tyre i parë dhe lindja e një Kishe të vetme". “Mesazh” ky për Kishën, por edhe për botën e sotme, që “të pajtohen larmitë”.

Kardinali Hollerich: në shtegtim nga Shën Pjetri, në Kishat tona

Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryetar i përgjithshëm i Sinodit, foli më pas në Bazilikën e Shën Sebastianit, duke kujtuar jetën e të krishterëve të parë të Romës dhe dëshminë e martirëve të varrosur në katakombe. “Ky shtegtim i Shën Pjetrit është udhë në realitetin tonë, në realitetet e kishave tona” - kujtoi -  duke i ftuar të pranishmit “të gjejnë kuptimin e kësaj rruge të Zotit”, ku pasqyrohet përherë kryqi”. Ne, ipeshkvijtë duhet të shikojmë kryqin tonë dhe të themi: “Zot të dua! Po marr kryqin tënd e po të ndjek”.

Rruga” në fenë e zanafillës

Të ndarë në grupe gjuhësore dhe në udhë të caktuara për kardinajtë dhe prelatët më të vjetër, pjesëmarrësit e ndryshëm nisën më pas udhëtimin e tyre në tre katakombet. Për grupin italian, edhe një ndalesë në Muzeun e Shën Sebastianit, ku ekspozohen sarkofagët e fundit të shekullit të 5-të. Më pas zbritja nëpër shkallët e pjerrëta, duke u mbajtur pas mureve të gërmuara në shtuf dhe të përforcuara me tulla terrakote e duke kaluar nëpër korridore rreth dy metra të larta. “Vëmendje, Shkëlqesi, kujdes kokën” - dëgjohej herë pas here një zë, që ushtonte në ato galeri të cilat flisnin pa fjalë! “Interesante”, “e pabesueshme”! Këto, komentet e atyre që, të ardhur nga kontinente dhe vende të largëta, nuk kishin pasur ende mundësinë të vizitonin vendet që ruajnë shenjat e fesë së zanafillës, sakramentet dhe shpresën e ngjalljes/

13 tetor 2023, 12:52