Kërko

 Giornata missionaria Giornata missionaria

Dita e 97-të Misionare: “Me zemra të përflakura, me këmbë për udhë”

Dita misionare këtë vit përkon me kujtimin e Shën Gjon Palit II (22 tetor), me ditën në të cilën, në vitin 1978, Papa Vojtila niste solemnisht shërbesën papnore. Dëshira, që ndjehet në mesazhin e Papës, na orienton drejt tre qëndrimeve, duke filluar nga përvoja e dishepujve të Emmaus: zemra që digjen për Shkrimet Shenjte; sy të hapur për të njohur praninë e vërtetë të Krishtit; këmbë të zellshme, që vihen për udhë, duke e shpallur Jezusin e Gjallë (Lk 24,13-35)

R.SH. / Vatikan

Dita e Misionarit këtë vit përkon me kujtimin e Shën Gjon Palit II (22 tetor), e pikërisht, me ditën në të cilën, në vitin 1978, Papa Vojtila niste solemnisht shërbesën e tij. Prandaj, ne nuk mund ta festojmë Ditën, pa i shprehur mirënjohjen Papës polak për mësimin që na dha, përmes të cilit na kujtoi se Ungjilli duhej predikuar e duhej jetuar me të njëjtin entuziazëm, tipik për të krishterët e orës së parë" (Letra Apostolike Novo millennio ineunte, 6 janar 2001). Por si duhet të jenë besimtarët e sotëm, përballë të krishterëve të orës së parë? Dëshira, që ndjehet në mesazhin e Papës Françesku, na orienton drejt tre qëndrimeve, duke filluar nga përvoja e dishepujve të Emmaus: zemra që digjen për Shkrimet Shenjte; sy të hapur për të njohur praninë e vërtetë të Krishtit; këmbë të zellshme, që vihen për udhë, duke e shpallur atë (Luka 24,13-35).

Jezusi Ngjallur u afrohet edhe sot ungjillëzuesve të tij “sepse - shkruan Papa - ky mision, në fund të fundit është i Tiji e ne jemi thjesht bashkëpunëtorët e tij të përvuajtur”. Në këto fjalë ndjehet fort afërsia me ata që kalojnë çaste të vështira, për të mos u ngujuar “përballë paudhësisë  që i rrethon", por të dinë t’i deshifrojnë ngjarjet dhe të kuptojnë, në dritën e tyre, unitetin e misionit të Krishtit, përkimin me atë të tyre, domethënë "t'i shpallin botës misterin e Tij të shëlbimit me fuqinë dhe urtinë, që burojnë nga Shpirti i tij".

Duke e parë Krishtin në çastin e "thyerjes së bukës" dhe "të shndërrimit të Tij “në bukë" për botën, ata do të jenë në gjendje të kuptojnë se "thyerja e Bukës Eukaristike, domethënë, vetë Krishti, është veprim i mirëfilltë misionar". Bashkimi me Mjeshtrin, i ushqyer me adhurimin e pranisë së Tij të vërtetë, do ta bëjë dishepullin të vetëdijshëm për të qenë në gjendje të jetë "mistik në veprim", i dërguar ad gentes. “Gjithkush ka të drejtë ta marrë Ungjillin”, ndërsa “Të krishterët kanë për detyrë ta shpallin, pa përjashtuar askënd”. Së fundi, nevojitet urgjentisht bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të Kishës, në çdo nivel. Për Papën, kjo është dëshmia e padyshimtë e një sinodaliteti të jetuar, që i bën tejet të dukshme tri fjalët programatike: bashkim, pjesëmarrje, mision!

21 tetor 2023, 16:39