Kërko

Ambasadorja e re e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj

Papa Françesku priti në audiencë, sot paradite, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Zonjën Majlinda Frangaj, Ambasadore e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti në audiencë, sot paradite, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Zonjën  Majlinda Frangaj, Ambasadore e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale. Pas Takimit me Atin e Shenjtë, sipas protokollit, qe takimi me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Hirësinë e Tij Kardinalin Pietro Parolin.

Majlinda Frangaj është e diplomuar në Shkenca Politike, me specializim në Marrëdhënie Ndërkombëtare (Università degli Studi di Perugia). Më vonë mori një diplomë Master në Mbrojtjen Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (Università La Sapienza, në Romë) dhe një diplomë Master në Çështjet e Komunitare dhe Politikat e Inovacionit, me specializim në Bashkëpunim Ndërkombëtar (Istituto Europeo per la Formazione e l'Orientamento, Romë).

Eksperte në të drejtën krahasuese të feve si dhe në të drejtën islame dhe afrikane, në Universitetin e Perugias, Fakulteti i Shkencave Politike, deri tani ka kryer detyra të ndryshme: gazetare dhe producente në departamentin e programacionit; Sekretare e Parë dhe Konsulle (2010 - 2012), Ministre Këshilltare dhe Konsulle (2012 - 2014), Ministre Fuqiplotë dhe e Ngarkuar me Punë ad interim (2014 - 2015), Ministre Fuqiplotë (2015 - 2017) Ministre Fuqiplotë dhe e Ngarkuar me Punë ad interim (2017 - 2023) në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Po kujtojmë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, në rang Nunciature apostolike për Vatikanin dhe Ambasade për Shqipërinë, daton më 7 shtator 1991.  Nunci i parë Apostolik (Ambasador) i Selisë së Shenjtë në Shqipëri u emërua më 22 tetor të vitit 1991: ishte prelati indian, imzot Ivan Dias,  i cili më 18 dhjetor 1991 i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Tiranë. Ndërsa Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, i emëruar më 1993, ishte prof. Willy Kamsi, që i paraqiti Letrat Kredenciale Papës Gjon Pali II  më 22 prill 1993, tri ditë para vizitës historike të Atit të Shenjtë Karol Wojtila në Shqipëri. Ambasadori i fundit i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjë ka qenë Sh. T. Rrok Logu, i cili shërbeu nga shtatori i vitit 2006, deri më 28 tetor 2013.

Urimet e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit Vatican-News Shkëlqesisë së Saj, znj. Majlinda Frangaj, Ambasadore e re e Shqipërisë pranë Selinë sl Shenjtë, teksa përgatitet të marrë detyrën e saj të lartë.

Në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit të dëgjojmë Ambasadoren e re të Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë Majlinda Frangaj menjëherë pas dorëzimit të Letrave Kredenciale në duart e Papës Françesku:

Ambasadorjae re të Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë Majlinda Frangaj
21 tetor 2023, 12:47