Selia e Shenjtë në OKB: të ndalen bombat thërrmuese në Ukrainë
R.SH. - Vatikan
Selia e Shenjtë u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt në Ukrainë të ndërpresin menjëherë përdorimin e bombave thërrmuese dhe ripohon thirrjen e vazhdueshme të Papës Françeskut për t'u mobilizuar për paqen në këtë vend të shkatërruar nga lufta. Këtë theksoi delegacioni i Selisë së Shenjtë, i cili foli dje në Gjenevë, në takimin e njëmbëdhjetë të Shteteve anëtare të Konventës për Municionet Thërrmuese, kryesuar nga Iraku. “Farat e paqes” mbijnë vetëm “në dialogun e sinqertë, duke zbatuar të drejtën ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, nënvizoi delegacioni vatikanas, duke denoncuar “pasojat vdekjeprurëse të bombave thërrmuese, që përfaqësojnë një disfatë të hidhur për njerëzit e pafajshëm në një konflikt mizor, si edhe për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes”.
Urime nga Selia e Shenjtë për anëtarësimet e reja
Në fakt, bombat thërrmuese të pashpërthyera mbeten në tokë për dekada, duke shkaktuar dëme në popullsinë civile. Ato krahasohen me minat kundër njeriut. Për këtë arsye, bashkësia ndërkombëtare ka nënshkruar një konventë në vitin 2018, firmosur nga 123 vende, por jo, ndër të tjera, nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Selia e Shenjtë përgëzoi Nigerinë dhe Sudanin e Jugut, dy vendet e fundit, që ratifikuan Konventën. Çdo vend që i bashkohet kësaj marrëveshjeje, shpjegon delegacioni i Vatikanit, "përfaqëson një nxitje të mëtejshme drejt universalitetit të saj, duke siguruar që të ketë gjithnjë e më pak viktima në të ardhmen dhe që ata, të cilët janë goditur tragjikisht nga bombat thërrmuese, të kenë asistencën e duhur”.
Detyrimi ligjor për të mbështetur viktimat
Mbështetja e viktimave është një nga detyrimet ligjore të Konventës dhe një nga arsyet e ekzistencës së saj. Që këtej, thirrja e fuqishme e Selisë së Shenjtë për të gjitha shtetet, që nuk janë ende pjesë e marrëveshjes, për ta pranuar Konventën për Municionet Thërrmuese. Ky do të ishte “një riafirmim pa mëdyshje i vlerës së dinjitetit të njeriut. “Vonesat dhe dështimi i angazhimeve të një shteti anëtar – përfundon delegacioni i Vatikanit – është dështim i të gjithëve dhe kjo, në mënyrë të pashmangshme, matet me humbjen e jetëve njerëzore, ose me vonesën në ndihmën ndaj viktimave. Po kështu, suksesi i njërit është edhe suksesi i të gjithëve”. Prandaj Selia e Shenjtë përgëzon Shtetet Anëtare që vijojnë çmontimin e depove të bombave thërrmuese.
Municionet thërrmuese, të cilat u përdorën për herë të parë gjatë Luftës II Botërore, zakonisht lëshojnë një numër të madh bombash më të vogla, të ashtuquajtura “bombeta” dhe njihen për “zgjedhjen” pa kriter të viktimave. Një pjesë e konsiderueshme e bombave nuk shpërthejnë aty për aty, por kjo ndodh kur ato bien në tokë të lagësht ,ose të butë. Gjithashtu, ato “bomba” të pashpërthyera mund të qëndrojnë joaktive për vite me radhë derisa dikush t’i marrë apo t’i shkelë.