Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: Sllovakia mund të kontribuojë në transformimin e botës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, po bën, nga 14 deri më 16 shtator, një vizitë zyrtare në katër qytete të vendit evropian, përfshirë kryeqytetin Bratislava, me ftesë të Konferencës Ipeshkvnore të Sllovakisë

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin ndodhet aktualisht në Sllovaki, ku, nga 14 deri më 16 shtator, po bën një vizitë zyrtare në katër qytete: Bratislavë, Šaštín, Košice dhe Klokočov. Konferenca Ipeshkvnore e vendit e ka ftuar me rastin e tre përvjetorëve të rëndësishëm: 30-vjetori i përtëritjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Sllovake dhe Selisë së Shenjtë, 1160-vjetori i mbërritjes së shenjtorëve Cirili dhe Metodi në këto troje, si edhe 20-vjetori i lumnimit të dy martirëve sllovakë, viktima të persekutimit ateist komunist, që u lartuan në nderimet e altarit nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 2003. Kujtojmë se para dy vitesh, edhe Papa Françesku ka qenë për një shtegtim apostolik në këtë vend. Në një intervistë për Radio Vatikanin / Vatican News, kardinali Parolin shpjegon qëllimet e vizitës së tij:

Objektivat kryesore janë të jetojmë së bashku fenë e bashkësive kishtare, të përforcojmë unitetin e tyre, të kujtojmë mesazhin e Atit të Shenjtë gjatë vizitës apostolike të dy viteve më parë, t'i lutemi së bashku shën Marisë, në festën liturgjike të Zojës së Dhimbshme, pajtores kombëtare të Sllovakisë, për vendin dhe për ndjetet më të dashura për Papën, sidomos për paqen. Udhëtimi parashikon edhe dialogun me autoritetet e vendit dhe me shoqërinë civile, për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Sllovakisë, me qëllim promovimin e vlerave si drejtësia shoqërore, solidariteti, vëllazërimi dhe paqja.

Sllovakia është vend i vogël, ç’mund t’i ofrojë botës?

Më duket se udhëtimi i fundit i Papës Françesku në Mongoli tregoi qartë se nuk duhet të kufizohemi në numrat apo në përmasat e një realiteti, për të vlerësuar rëndësinë dhe ndikimin e tij. E njëjta gjë vlen edhe për Sllovakinë. Përmasat e saj të vogla nuk e pengojnë të japë një kontribut veçanërisht të rëndësishëm për botën dhe për transformimin e saj, duke pasur parasysh historinë e pasur, kulturën, trashëgiminë e krishterë, që e dallon këtë vend, përkushtimin ndaj vlerave shpirtërore, promovimin e respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesën civile dhe fetare.

Shenjtorët Cirili dhe Metodi janë shembull i shkëlqyer i inkulturimit dhe i sinodalitetit. Si mund ta mishërojmë mesazhin e tyre sot?

Misioni i shenjtorëve Cirili dhe Metodi, të njohur si "Etërit e popujve sllavë", por edhe ai i Shën Gorazd-it, dishepull i tyre i parë dhe pasardhës i Shën Metodit në episkopat, na dëshmon se krishterimi mund të integrohet me sukses në kultura të ndryshme - koncept ky, i njohur si "inkulturim". Më duket se nga kjo dëshmi dalin në pah aspekte të rëndësishme për epokën tonë, si vlerësimi i larmisë në unitet, respekti i ndërsjellë, nevoja për dialog ndërkulturor e ndërfetar, etj.. Këto janë shtyllat mbi të cilat mund të ndërtohet një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Por do të nënvizoja përpjekjen për ta transmetuar fenë me një gjuhë të përshtatshme për bashkëkohësit tanë, sidomos, për brezat e rinj. E gjithë kjo kërkon aftësi të mëdha për dëgjim, që është rruga e sinodalitetit në të cilën na çon Papa Françesku.

15 shtator 2023, 15:07