Kard. Zuppi në Kinë në bisedë me Li Hui: bashkëpunimi në rrugët e paqes dhe sigurisë ushqimore
R.SH. / Vatikan
Kardinali Matteo Zuppi është në Pekin, dërguar nga Papa Françesku me një mision paqeje për Ukrainën e torturuar, i cili deri më tani ka vizituar Kievin, Moskën dhe Uashingtonin në muajt qershor e korrik. Në një njoftim për shtyp Selia e Shenjtë njofton se kardinali Zuppi u prit në kryeqytetin kinez në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës nga Li Hui, përfaqësues i posaçëm për Çështjet Euroaziatike.
Takimi - informon Selia e Shenjtë - u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe të përzemërt dhe iu kushtua luftës në Ukrainë dhe pasojave të saj dramatike, duke nënvizuar nevojën për t’i bashkuar përpjekjet për të inkurajuar dialogun dhe për të gjetur shtigje që çojnë drejt paqes. Gjatë takimit u trajtua edhe problemi i sigurisë ushqimore, me shpresën që së shpejti të garantohet eksportimi i drithërave, veçanërisht në vendet më të rrezikuara.